TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se normat e inflacionit përgjatë vitit 2022 ishin të larta, ndikuar më së shumti nga efekti i çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe nga efekti i luftës së Rusisë në Ukrainë.
Në konferencën për shtyp mbi zhvillimet e ekonomisë përgjatë këtij viti, Ibrahimaj theksoi se sërish norma mesatare e inflacionit e shënuar në vendin tonë, ishte ndjeshëm më e ulët se në vendet e rajonit dhe ato të BE-së.
“Në muajin nëntor ne patëm një normë mesatare inflacioni më të ulët, në krahasim me tetorin. Ajo zbriti në 7.9 % në nëntor, nga 8.3% që ishte në tetor. Kjo ishte hera e parë këtë vit që inflacioni shfaqi tendencë rënëse”, tha Ibrahimaj.
Ministrja tha se edhe për periudhën 11-mujore norma e inflacionit ishte nën mesataren e BE-se, e cila llogaritet 6.7 % në Shqipëri, ndërsa në BE ka qëndruar në nivelin 9%.
Ibrahimaj vuri në dukje se ndikimin kryesor në inflacion e ka dhënë kategoria e ushqimeve dhe pijeve, që ka pasur rritje të çmimeve më të larta se norma e përgjithshme e inflacionit.
“Edhe në këtë tregues, Shqipëria ka performuar ndjeshëm më pozitivisht se sa vendet e rajonit. Inflacioni për këtë grup ishte 14.7% në nëntor. Në Maqedoninë e Veriut inflacioni i ushqimeve dhe pijeve ishte 29.8%, në Serbi ishte 22.5%, në Kosovë 17.9%, ndërsa në Malin e Zi 30.2 %. Ndërkohë, mesatarja e BE-së për ushqimet ishte 17.9%”, deklaroi Ibrahimaj.






















