TIRANË, 16 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kandidati për Kreun e SPAK, Altin Dumani deklaroi sot se vizioni i tij për drejtimin e SPAK përmban ndërtimin e një strukture të aftë që të ushtrojë me sukses ndjekje penale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të çdo niveli, që qytetarët të kenë besim te sistemi i drejtësisë.
Në prezantimin e platformës së tij përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Dumani u shpreh shumë i motivuar për të garuar në këtë detyrë, ndërsa renditi edhe disa nga prioritetet e platformës së tij.
Sipas tij, çelësi i suksesit varet nga bashkëpunimi, puna në grup, por edhe autonomia dhe pavarësia e SPAK, integriteti personal i çdo anëtari si dhe i institucionit në tërësi.
Ndërsa bëri një përmbledhje të karrierës së tij në sistemin e drejtësisë, Dumani tha se ka filluar të punojë në prokurori që në vitin 1999.
“Kam një eksperiencë 23-vjeçare në prokurori. Karriera ime ka njohur gjithmonë progres. E kam filluar si oficer i Policisë Gjyqësore në Sarandë, drejtues i prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Tropojë, më tej në Tiranë jam angazhuar në Prokurorinë e Përgjithshme. Kam qenë pjesë e grupit të prokurorëve për Krime të Rënda, pas 8 muajsh u emërova zëvendësdrejtues i asaj prokurorie. Nga qershori 2007 drejtova njësinë e përbashkët hetimore për hetimin e krimit ekonomik e korrupsionit. Pas 3 viteve punë u transferova në prokurorinë e Apelit Tiranë. U zgjodha një ndër anëtarët e SPAK, detyrë që e ushtroj prej 3 vitesh”, tha ai.
Ushtrimin e detyrës së anëtarit të SPAK, Dumani tha se nuk e konsideron si vend pune, por e konsideron si mision, i cili është shumë i vështirë dhe që kërkon angazhim maksimal tej normales për një prokuror.
“Garancia më e madhe në ndërtimin e një prokurorie të posaçme të suksesshme është edhe bilanci që unë kam në këto 3 vite: me 99 çështje dhe 204 persona të hetuar, ndjekje penale për vepra me natyrë korruptive që i takojnë korrupsionit në drejtësi, çështje për gjyqtarë të Gjykatës së Apelit të Shkallës së Parë, prokurorë e drejtues institucionesh”, tha ai.
Dumani tha se ka përfaqësuar denjësisht akuzën para çdo personi, pavarësisht funksionit që kishte.
Si pikë të fortë të punës së tij ai veçoi bashkëpunimin dhe frymën e ekipit, ndërsa shtoi se kolegët prokurorë e gjyqtarë kanë qenë edhe ata që e kanë nxitur për të rikandiduar për kreun e SPAK.
“Për të pasur sukses duhet frymë dhe punë në grup. Do të angazhohem maksimalisht për të krijuar këtë frymë dhe për të krijuar një grup prokurorësh që të mos hezitojnë të bëjnë ndjekje penale. Emri nuk ka rëndësi, por prova. Kjo është ajo që unë kam parimin e punës time. Emri nuk më bën përshtypje, por prova po”, tha ai.
Dumani shprehu vlerësimin maksimal për prokurorët e SPAK, ndërsa shtoi se “në 3 vite SPAK ka penalizuar zyrtarë të nivelit të lartë apo gjyqtarë e prokurorë, që para 3 viteve as mund të mendohej se mund të ushtrohej ndjekja penale ndaj tyre”.
“SPAK ka dhënë prova të qarta se mund ta bëj ndryshimin. Ka dhënë shenjat e indiciet që është e aftë të përballet pavarësisht nivelit të zyrtarëve që kemi përballë dhe është në gjendje ta bëj ndryshimin. Pritshmëria është shumë e madhe, ndaj dhe unë thashë se e konsideroj mision. Në këto 3 vite kemi dhënë prova se jemi duke bërë ndryshime, kemi edhe eksperiencë. Të gjitha këto krijojnë një bazë të mirë për të pasur një ndjekje penale të suksesshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ai.
Dumani tha se “kjo është hera e dytë që konkurron edhe ky nuk ka qenë një vendim i lehtë për t’u marrë për t’u futur në garë”.
“Pavarësisht se nuk u shpalla fitues para 3 viteve, të dhënat flasin qartë se nuk jam dekurajuar asnjë ditë, përkundrazi, kam vazhduar të punoj më shumë i motivuar”, tha ai.
/r.e/























