TIRANË, 14 dhjetor/ATSH – I. Vata/ Nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, dhe me nismën e Institutit Parlamentar, në përfundim të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, Kuvendi organizoi veprimtarinë “Histori të parrëfyera”.
Në këtë veprimtari, përveç deputetëve, anëtarëve dhe drejtueseve të Grupit të Deputetëve Miqtë e Fëmijëve, morën pjesë edhe nxënës e mësues të shkollave “Petro Nini Luarasi”, “Qemal Stafa”, “Sami Frashëri”, “Çajupi”, “Partizani”, “Sinan Tafaj” dhe studentë të degës së psikologjisë nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.
Në nisje të kësaj veprimtarie foli Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila, pasi falenderoi nxënësit dhe mësuesit për pjesëmarrjen në këtë veprimtari të Kuvendit, nënvizoi se “dhuna me bazë gjinore ka marrë përmasa shqetësuese dhe nuk është më as një temë individuale, as familjare, por një çështje e shoqërisë, një nga format më të këqija të devijancës. Këtë e përjetojmë të gjithë. Në familje, në shkolla, në komunitet, në vendin e punës. Jam e bindur që edhe juve ju irriton. Për ne, në Kuvendin e Shqipërisë dhuna me bazë gjinore cilësohet shkelje e të drejtave të njeriut, madje një akt kriminal. Prandaj përpjekjet dhe lufta për t’i dhënë fund dhunës nuk është thjesht një dëshirë e mirë, por angazhim institucional, kombëtar, politik dhe njerëzor i Kuvendit të Shqipërisë. Lufta kundër kësaj të keqeje është një preokupimi im i vazhdueshëm, si Kryetare e Kuvendit, si deputete, grua, nënë”.
“Fushata “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” ka qenë edhe për mua një periudhë reflektimi. Në mbyllje të saj, me nismën time si deputete, i propozova Kuvendit nismën ligjore për përmirësimin e plotësimin e legjislacionit kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. Dhuna fizike ndaj grave e vajzave nuk është një akt në vetvete, por një sulm ndaj shoqërisë, ndaj jetës, ndaj familjes. Kjo dhunë nuk mund të luftohet vetëm nga agjencitë ligjzbatuese, por nga e gjithë shoqëria. Më shumë sesa pasojat, unë mendoj se ne duhet të fokusohemi te rrënjët e saj”, tha Nikolla.
Gjatë kësaj veprimtarie, drejtorja e Qendrës “Tirana Art”, Jona Davidi, prezantoi nismën e kësaj Qendre për pasqyrimin në piktura të krijuara nga fëmijët për rritjen e sensibilizmit kundër dhunës gjinore.
Pjesëmarrësit ndoqën performancën teatrale, mbështetur në fakte reale, të nëntë historive jetësore, dhe thirrjeve për angazhim dhe vëmendje publike, politike e ligjore, të nëntë grave e vajzave shqiptare, të cilat bëjnë apel të gjithëve për gjendjen e tyre dhe luftojnë të çlirohen prej saj.
Në vijim e mori fjalën autorja e librit “10 gra, 10 rrëfime-Histori që sfidojnë botën”, Elga Mitre”, e cila prezantoi historitë që përshkruan në libër dhe përpjekjet e protagonisteve për të përballuar e luftuar dhunën gjinore e në familje.
Diskutantët që morën fjalën falenderuan Kuvendin për organizimin e kësaj veprimtarie dhe vlerësuan kurajon dhe forcën e grave e vajzave për të luftuar dhunën ndaj tyre.
/r.e/























