TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Nën drejtimin e kryetarit Nasip Naço, Komisioni për Sigurinë Kombëtare mori në shqyrtim në parim projektligjin “Për Policinë Bashkiake”.
E ftuar për të shpjeguar projektligjin në komision ishte Romina Kuko, zëvendësministre në Ministrinë e Brendshme, Enea Hoti, Sekretar i Përgjithshëm në MB dhe specialistë të tjerë të kësaj ministrie.
Kuko shpjegoi mes të tjerash dhe qëllimin e këtij projektligji, i cili sipas saj, në tërësinë e tij, parashikon të japë zgjidhje përfundimtare situatës së krijuar ndër vite me këtë strukturë, duke adresuar të gjitha shqetësimet dhe ofrimin e zgjidhjeve nëpërmjet mënyrës së rindërtimit të kësaj strukture, organizimit, funksionimit dhe pranimit në policinë bashkiake.
Një risi tjetër e këtij projektligji është ridimensionimi i bashkëpunimit me strukturat e Policisë së Shtetit duke qartësuar kompetencat me këtë të fundit dhe institucione të tjera ligjzbatuese.
“Projektligji “Për policinë bashkiake”, ka për qëllim të rregullojë misionin, organizimin, funksionimin, kompetencat e Policisë Bashkiake dhe marrëdhëniet e punës të punonjësit të policisë bashkiake në Republikën e Shqipërisë”, shtoi Kuko.
Edhe kryetari i Komisionit, Naço pasi përmendi disa nga risitë e këtij projektligji duke e krahasuar me ligjin e vjetër ftoi anëtarët e komisionit ta votonin atë në parim.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim “Projektligjin “Për policinë bashkiake”.
/r.e/























