TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-tetor të këtij vitit kapën vlerën 17.1 miliardë lekë, ose 9.16% më shumë se në janar-tetor 2021.
Sipas raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë periudhës janar-tetor 2022, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti mbi 1 milionë, duke shënuar një rritje prej 14.34% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 91.91% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e jetës kanë 8.02%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.10% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.90% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-tetor 2022, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 5,324 milionë lekë, ose 4.77% më pak se në periudhën janar-tetor 2021.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-tetor 2022 kapën vlerën 3,664 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 9.92% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.























