Ballina Bota

FOKUS – Macron: Lufta në Ukrainë është çështje sigurie për të gjithë rajonin

TIRANE, 6 dhjetor /ATSH-AA/ – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se lufta në Ukrainë është çështje sigurie për të gjithë rajonin.

Në një deklaratë për mediat pas pritjes nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në kuadër të Samitit Bashkimi Evropian (BE)-Ballkani Perëndimor, Macron ka folur për samitin, luftën në Ukrainë, bashkëpunimin mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Sot jam shumë i lumtur që jam në Shqipëri. Dua të falënderoj kryeministrin Edi Rama për këtë samit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në një moment mjaft të rëndësishëm për ne”, tha Macron.

Presidenti francez theksoi se lufta në Ukrainë është çështje sigurie për të gjithë rajonin, duke shtuar se kanë projekte konkrete për të diskutuar.

“Është e rëndësishme që të kemi solidaritet midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor për energjinë, por gjithashtu edhe për procesin e integrimit të kësaj pjese në Bashkimin Evropian. Është e rëndësishme që të punohet drejt këtij solidariteti”, tha ai.

Në Tiranë po mbahet sot Samiti Bashkimi Evropian (BE)-Ballkani Perëndimor, i pari që zhvillohet në rajon, me pjesëmarrjen e liderëve të BE-së, nga vendet e BE-së dhe rajonit.

Temat kryesore të samitit janë trajtimi i pasojave të agresionit rus kundër Ukrainës, intensifikimi i angazhimit politik, forcimi i sigurisë ndaj ndërhyrjeve të jashtme, si dhe ballafaqimi me sfidat e paraqitura nga emigrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Pas seancave plenare do të mbahet konferenca për media e kryeministrit Rama, presidentes së Komisionit Evropian dhe presidentit të Këshillit Evropian.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIncidenti në protestë, Noka: Për t’i mbyllur gojën Berishës
Artikulli tjetërSamiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, riafirmon perspektivën e anëtarësimit dhe partneritetin strategjik të BE-së me rajonin