Ballina Flash

Reshjet e shiut, Llatja: Në terren për të përballuar çdo të papritur

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Shtabi i Emergjencave Civile po monitoron situatën në bashkinë e Elbasanit ku për momentin reshjet kanë filluar me një intensitet të lartë, që nga dita e diel e në vazhdim.

Gjatë monitorimit të bërë nga Shtabi i Emergjencave Civile, bëhet e ditur se “në bashkinë e Elbasanit deri më tani nuk ka asnjë raportim për problemet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut. Aktualisht në të gjithë territorin e bashkisë nuk ka asnjë tokë bujqësore të përmbytur apo shtëpi banimi, si dhe asnjë problem me rrugët rurale dhe komunale”.

Shefi i Shtabit të Emergjencave Civile, Ndriçim Sinani pohon se “situata po monitorohet periodikisht”.

Gjatë orëve të mbrëmjes së të dielës, kryetari i bashkisë, Gledian Llatja bashkë me specialistë të Shtabit të Emergjencave Civile, inspektoi nga afër disa zona problematike, të cilat shkaktojnë rrallëherë përmbytje.

“Ekipet e bashkisë janë në terren, në komunikim të vazhdueshëm me strukturat lokale për të sinjalizuar dhe përballuar çdo të papritur. Ne e kemi në vëzhgim Përroin e Zaranikës për shkak edhe të reshjeve, të cilat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Për këtë arsye gjatë gjithë këtij muaji, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike ka pastruar të gjithë përrenjtë e njësive administrative, përfshirë edhe atë të Zaranikës dhe Manazderes në qytet, të cilat derdhen në Lumin Shkumbin, me qëllim shmangien e daljes së ujit jashtë shtratit”, nënvizoi Llatja.

Sipas tij, për momentin nuk ka asnjë raportim për problematika si në zonat rurale, ashtu dhe në zonën urbane.

Llatja u bëri thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe për çdo problematikë t’i drejtohen strukturave tona.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakInfantino vlerëson Shqipërinë për pritjen e afganeve, Rama: Moment krenarie
Artikulli tjetërMedia botërore e konsideron ”fiasko” paraqitjen e Katarit kundër Ekuadorit