BERLIN, 21 nëntor /ATSH-DPA/ – Ndërsa organi qeverisës i futbollit FIFA e quajti “shumë argëtuese” hapjen e Kupës së Botës mes mikpritësve të Katarit dhe Ekuadorit, media sportive anembanë globit kishte një pamje të ndryshme për fillimin e turneut.
Në Spanjë, ”El Pais” theksoi se, ndërsa emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, festoi diversitetin në ceremoninë e hapjes, ai e pa ndeshjen ”në një kuti VIP me pothuajse asnjë grua”.
”Marca” tha se Katari ishte në gjendje të përdorte para’ për të ndërtuar arena me ajër të kondicionuar, “por jo për të luajtur futboll të mirë. Në futbollin elitar, kjo është pothuajse e pamundur pa talent”.
“Dhe nëse kishte ndonjë dyshim për këtë, Kupa e Botës, kompeticioni sportiv më kërkues dhe spektakolar në botë, mori vetëm tre minuta për të na kujtuar këtë”, shkruante gazeta.
Francezja ”L’Equipe” tha se “Katari nuk e ka nivelin për të luajtur një rol në botëror” dhe përmendi largimin në masë të tifozëve gjatë pjesës së dytë, pasi stadiumi ”Al Bayt” ishte gjysmë bosh në pjesën e dytë të ndeshjes.
“Kur folësi i stadiumit tha me krenari se kishte 67 000 spektatorë në tribunat e stadiumit ‘Al Bayt’, shumë prej tyre ishin larguar prej kohësh”, shkruante italiania ”La Repubblica”.
Shumë kritik për këtë ngjarje të madhe sportive ishte ”The Telegraph” i Britanisë së Madhe, që tha se ceremonia e hapjes ishte “një vitrinë e një përplasjeje unike midis një organizate të korruptuar, të fiksuar pas parave dhe një regjimi me një qasje mesjetare ndaj të drejtave civile dhe sigurisë së punës”./ a.jor.























