TIRANË, 18 nëntor/ATSH – I. Vata/ Bedri Qypi prezantoi sot kandidaturën në primaret e Partisë Demokratike për bashkinë e Belshit.
Në një deklarate për mediet, Qypi deklaroi se “banorët e Dumresë janë lënë në harresë bashkë me bujqësinë që është jetike për qytetarët”.
“Po futem në garën tonë të brendshme, sepse e ndjej përgjegjësi morale para gjithë demokratëve që më kanë mbështetur në të gjitha betejat që kam garuar dhe i kam fituar. Beteja ime është me pushtetin dhe korrupsionin e kësaj qeverie hajdute, e cila i ka lënë në harresë banorët e Dumresë. Të rinjtë po detyrohen të braktisin fshatin e qytetin, familjet dhe kujtimet, për shkak të keqqeverisjes, e cila është në funksion vetëm të një grupi të vogël njerëzish. Gjithashtu kjo qeveri e korruptuar ka lënë mbas dore sektorin e bujqësisë, i cili për familjet tona është jetik, është sektori i vetëm me të cilin ushqejmë familjet tona”, tha ai.
Qypi tha se “me mbështetjen tuaj do ta fitojmë betejën që ta rikthejmë bashkinë në funksion të popullit të Dumresë”.
/r.e/























