TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ Mbajtja hapur e të gjitha akseve rrugore gjatë stinës së dimrit është një ndër prioritetet e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur sot se janë marrë të gjitha masat për të siguruar qarkullimin e lirë të mjeteve në të gjitha akset rrugore.
“Jemi gati për mirëmbajtjen dimërore nga data 15 nëntor e deri më 31 mars me mjete e punëtorë, për të siguruar që qarkullimi të jetë normal në të gjitha rrugët kombëtare”, bëri të ditur Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Për vitin 2023 janë planifikuar 2.6 miliardë lekë për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar.
Përmes këtyre investimeve synohet rritja e sigurisë rrugore në të gjitha akset kombëtare, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve me pasojë humbje jete njerëzish dhe uljen e numrit të pikave të zeza me 25%, sipas Strategjisë Kombëtare të Transportit.
Qeveria parashikon ndërhyrjen në 4044 km rrugë sipas standardeve në të gjithë territorin.
/j.p/r.e/






















