Ballina Aktualitet

Balla: SPAK të hetojë financimet ruse në PD

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri sot thirrje SPAK që të hetojë çështjen e financimeve ruse të Partisë Demokratike.

Në një prononcim për mediet nga kryesia e Kuvendit, Balla tha se, “ndërsa ne përballemi me këtë situatë të vështirë, ndërsa e gjithë Evropa është nën kërcënimin e një lufte, e cila nuk ndodh vetëm në Ukrainë, por është një luftë që ka prekur të gjithë Evropën, ajo që bie në sy është përpjekja e një aleance të vjetër mes Sali Berishës dhe Ilir Metës për të dëmtuar interesat e Shqipërisë në këtë moment të vështirë, por edhe historik”.

“Fakti që ende PD dhe Sali Berisha, nuk japin shpjegime për financimet ruse që kanë hyrë në financat e PD-së dhe që jo rastësisht PD ndërlidhet në shumë momente, që nga viti 2008 ndoshta dhe më parë, me mbajtjen e të njëjtave qëndrime me Rusinë, kur bëhet fjala për çështjet e rëndësisë kombëtare. Fakti që jemi në një moment të vështirë dhe një situatë të vështirë në Kosovë, ku lista serbe tërhiqet nga qeveria, tërhiqet nga Kuvendi. Pra është konfirmuar që kanë depozituar edhe dorëheqjet nga mandatet e tyre, opozita në Shqipëri kërkon destabilizimin e vendit”, tha Balla.

“Unë mendoj që është në dobinë e interesit kombëtar që këtyre dy haxhiqamilëve, Sali Berishës dhe Ilir Metës, nuk duhet t’u shkojë më askush nga mbrapa, sepse është e rëndë që këta dy njerëz sot në Shqipëri, por më së shumti Sali Berisha, flet me të njëjtën gjuhë ndaj Shqipërisë, sikurse flet Lavrovi i Putinit dhe Khomeini i Iranit. Besoj e keni ndjekur se si një ish-president, një ish-kryeministër i këtij vendi ta etiketojë dhe ta shigjetojë Shqipërinë si vend i rrezikshëm në mediet britanike, njëlloj si Lavrovi para pak kohësh dhe njëlloj si Khomeini, i cili tha se, “Shqipëria është një vend i vogël i rrezikshëm”, njëlloj tha dhe Sali Berisha. Kjo nuk është rastësore”, tha Balla.

“Ju nënqeshnit, kur në vitin 2017-2018, ne ju tregonim që PD ka marrë 600 mijë dollarë financime ruse dhe kur shërbimi sekret amerikan CIA, në dokumentet e veta konfirmoi që PD ka marrë financime ruse, kjo çështje nuk është më një çështje për të pasur dyshime, kjo ka ndodhur”, tha Balla.

Balla i bëri thirrje SPAK që të hetojë këtë çështje.

“Në një vend anëtar të NATO-s, sikurse është Shqipëria, keqardhja ime më e madhe është që ende Prokuroria Speciale Antikorrupsion, nuk ka filluar një hetim se si një parti politike ka përfunduar në borderotë e Kremlinit. I bëj thirrje z. Kraja që për çështje të interesit kombëtar, të sigurisë kombëtare, duhet që kjo prokurori të fillojë menjëherë këtë çështje. Pra duhet urgjentisht që të thirren, Basha, Berisha e gjithkush tjetër ka ngjyer gishtat dhe xhepat e PD-së në çorbën e rublave ruse”, apeloi Balla.

“Po ashtu i bëj thirrje çdo demokrati të këtij vendi, që në këto kushte, që na duhet sa më shumë solidaritet me Kosovën, sa më shumë bashkim me njëri-tjetrin, të heqë dorë nga shpërdorimi i asaj që ka mbetur nga PD për interesat e ngushta të një individi”, tha Balla.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMiratohet në parim Paketa Fiskale për vitin 2023
Artikulli tjetërPunavija për ATSH-në: 10 mijë abone falas për studentët në Tiranë