Ballina Flash

Mustafa viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën

PRISHTINË, 5 nëntor/ATSH/- Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka njoftuar se në fillim të kësaj jave ka qenë në Hagë për të vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim prej dy vjetësh nga Dhomat e Specializuara.

Mustafa u shpreh në një postim në rrjetet sociale se ata janë mirë dhe të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën.

“Më gëzoi fakti që i gjeta mirë, të mbushur me idealizëm; të bindur në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë të UÇK-së, të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën. Mund të jem pajtuar apo të mos jem pajtuar me njërin apo tjetrin për konceptet partiake e të qeverisjes, por është e pamohueshme trimëria dhe kontributi i tyre në mbrojtjen e popullatës në zonat më të ashpra të luftës dhe zëdhënien për masakrat çnjerëzore nga ushtria dhe shteti i Millosheviçit”, theksoi Mustafa.

Ai tha se është i pamohueshëm edhe kontributi i ish-krerëve të UÇK-së për paqe në Konferencën e Rambujesë, në transformimin e UÇK-së menjëherë pas lufte, në negociatat e Vjenës për shtet të pavarur, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike.

“Uroj që nga ky proces, që u iniciua nga konstruksionet e rrejshme ruse-serbe në Raportin e Dick Martit, të fitojë drejtësia”, përfundoi Mustafa.

Tashmë janë bërë dy vjet prej arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa ende nuk ka filluar procesi gjyqësor ndaj tyre. Procedura paraprake është karakterizuar me akuza të mbrojtjes drejtuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me pretendime për fshehje të provave shfajësuese, redaktime të shumta në materiale dhe vonesa në nxjerrjen e dokumenteve. Njohës të proceseve gjyqësore thonë se këto dy vjet janë përcjellë me ballafaqime të mëdha në mes të palëve./KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Italia akordon miliarda euro për të zbutur çmimet në rritje të energjisë
Artikulli tjetërBERLIN – Baerbock: Negociatat me Iranin nuk janë një dështim përfundimtar