Ballina Ekonomi

Kërkimet për naftë, AKBN nxjerr për shprehje interesi “Bllokun 5”

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) nxjerr për shprehje interesi nga ana e investitorëve potencialë “Bllokun 5” për kërkimin e naftës.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë miratoi më 13 shtator urdhrin që i hap rrugën shpalljes të lirë për investitorët të këtij blloku.

“Blloku 5” ndodhet në juglindje të Shqipërisë, nga Saranda në jug deri në Vlorë në veri. Kufiri perëndimor përkon me bregun e detit Jon në jug dhe me detin Adriatik në veri.

Në dokumentacionin mbi termat dhe kushtet përcaktohet se kohëzgjatja e periudhës së kërkimit është deri në 5 vjet dhe mund të zgjatet deri në 7 vjet në përputhje me “Ligjin e Naftës”.

“Periudha e kërkimit është e ndarë në faza, me detyrimet e punës dhe angazhimet financiare përkatëse për secilën prej tyre. Kontraktori nuk mund të ndjekë fazën pasuese pa kryerjen e detyrimeve të punës apo angazhimeve financiare përkatëse. Kohëzgjatja e secilës fazë të periudhës së hulumtimit është subjekt i negociatave.

Në rast zbulimi tregtar, periudha e zhvillimit dhe prodhimit të zonës do të jetë njëzet e pesë vjet, por mund të zgjatet më tej, siç parashikohet në “Ligjin e Naftës”.

Prodhimi i naftës në Shqipëri filloi në vitin 1929 me 750 tonë naftë bruto. Pas Luftës II Botërore, prodhimi u rrit në mënyrë të vazhdueshme dhe shënoi pikun më të lartë në vitin 1974 me një prodhim vjetor prej 2.25 milionë tonë, i barazvlefshëm me 38,408 fuçi/ditë). Në vitet ‘80 prodhimi i naftës ra nën 1 milion ton në vit dhe nuk u rrit më deri në vitin 2012.

Sipas studimeve të kryera nga ndërmarrjet e huaja dhe “Albpetrol” midis viteve 1985 dhe 1990, rezervat e naftës në vend llogariteshin rreth 437.6 milionë tonë, me rezervat e rikuperueshme të vlerësuara në vetëm 81 milionë tonë.

Në fund të vitit 2018, nafta e nxjerrë nga rezervat e Marinzës dhe Bubullimës tejkaloi atë që studimi vlerësoi si “rezerva të rikuperueshme”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOsmani: Liberalizimi i vizave s’duhet të mbetet peng i aspekteve teknike
Artikulli tjetërXhixho: Qeveria t’i lërë kërcënimet, të plotësojë kërkesat e pedagogëve dhe studentëve