TIRANË, 18 tetor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha për mediet pas mbledhjes së grupit të zhvilluar në kryesinë e Kuvendit, se qëllimi është që në zgjedhje të dilet me një kandidat të përbashkët e mbi të gjitha fitues.
Ai sqaroi se qëllimi i takimit ishte vënia në dijeni e grupit mbi takimin që Gazment Bardhi pati me Edi Palokën, të dy të mandatuar për dialog me qëllim bashkimin e PD-së.
“Para një jave në një diskutim të grupit ramë dakord që jemi të prirur që për zgjedhjet lokale të dalim me një kandidat, është në interes të demokratëve. Siç e thamë javës së kaluar, ishim të gatshëm të diskutonim. Ajo që ndodhi tani ishte vetëm një informim që Bardhi na bëri për takimin me Palokën. Kjo ndodhi. Nevoja e interesi për të dalë me një kandidat të përbashkët është synim i cili nuk ngërthen vetëm nevojën e një kandidati, por një kandidati fitues në nevojën për t’i dhënë fund regjimit të Ramës edhe në zgjedhjet lokale. Synimi është ai që përcakton dhe instrumentin. Duam ne një kandidat të vetëm që të jetë fitues dhe instrumenti duhet të jetë proporcionalisht i tillë, t’i shërbejë këtij qëllimi. Mënyrat janë pafund”, tha ai.
Deputeti i PD-së Gazment Bardhi sqaroi për mediet takimin me Edi Palokën, duke pohuar se ka qenë një takim konstruktiv.
Ai theksoi po ashtu, se njëanshmëria e dëmton procesin e bashkëpunimit mes dy palëve.
“Dua të them se takimi me Palokën ka qenë konstruktiv dhe me frymë të plotë mirëkuptimi për të gjetur një mekanizëm që siguron bashkëpunim të sinqertë mes demokratëve. Asnjëri nuk ka pasur një qëndrim për çështje të caktuara. Kemi shkëmbyer thjesht mendime dhe apeli im është që njëanshmëria nuk e ndihmon këtë proces. Demokratët kanë nevojë të jenë bashkë për të mundur Edi Ramën dhe të bashkëpunojnë në mënyrë të sinqertë dhe këtë proces e dëmton njëanshmëria. Çdo rrugë e njëanshme që synon imponimin ndaj një pjese të demokratëve që mendojnë ndryshe, nuk do ishte zgjidhje për hallin tonë të përbashkët se si do mundim Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme lokale”, theksoi Bardhi.
“Do të duhet që të krijohet një moment bashkëpunimi mes demokratëve për të gjetur një kandidat të përbashkët fitues. Nuk është vetëm qëllimi që të kemi vetëm një kandidat të përbashkët, por kandidat të përbashkët fitues. Sepse takimin e kishim informal, një kafe pune mes dy kolegësh të mandatuar. Qëndrimi i grupit parlamentar të PD u shpall të hënën dhe ishte se jemi të gatshëm të nisnim punën që atë ditë”, tha Bardhi.
/j.p/r.e/






















