Ballina Flash

Rezultatet e kërkimeve në Forumin Rrethor të Durrësit

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Sezoni i kërkimeve arkeologjike të vitit 2022, si pjesë e projektit “Dyrrachium në Antikitetin e Vonë”, kishte në fokus vazhdimin e gërmimeve në sektorin 6/Forumi Rrethor, me synim plotësimin dhe saktësimin e të dhënave të deritanishme rreth fazave të ndryshme ndërtimore që lidhen me këtë monument.

Projekti DAV i Institutit të Arkeologjisë/Akademia e Studimeve Albanologjike, drejtohet nga prof. assoc. dr. Brikena Shkodra me mbështetjen e studiuesve nga ky institucion, si edhe përfshirjen e profesionistëve të jashtëm arkitektë e studentë nga departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin e Prishtinës.

Gjurmët e zbuluara strukturore të një kompleksi ndërtimor, i cili paraprin ndërtimin e Forumit Rrethor, janë dëshmi e një faze të rëndësishme rindërtimi të strukturave ekzistuese rezidenciale romake, gjatë shekulli IV-V, duke e bërë më kompleks nivelin e deritanishëm të njohurive mbi përshtatjet urbane të kësaj periudhe.

Pjesë e këtij informacioni të ri ishte edhe zbulimi i gjurmëve të një aktiviteti artizanal, furrë për prodhimin e enëve prej qelqi, i lidhur me njërin nga funksionet e këtij kompleksi ndërtimor të periudhës romake të vonë.

Sekuenca pasuese stratigrafike, e lidhur me projektin e ndërtimit të Forumit Rrethor, prodhoi të dhëna të reja për saktësimin e njohurive dhe plotësimin e dokumentacionit për fazat e lidhura me ndërtimin dhe transformimin e monumentit.

Konfirmohet më tej se ky monument përfaqëson një fazë të rëndësishme transformimi të planit urban të qytetit të shekulli VI, tashmë orientuar nga verilindja, si edhe monumentalizimin e tij, nga një hapësirë me funksione domestiko/artizanale në qendrën publike të qytetit antik të vonë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPORTRET – Meloni, ish-simpatizantja e Musolinit, fiton zgjedhjet
Artikulli tjetërTetori gjerman, kalendari i aktiviteteve