Ballina Flash

Reagim i ZVAP Kamzë: Në të gjitha shkollat procesi mësimor ka nisur më 12 shtator

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Kamzë ka reaguar ndaj deklaratës së sotme nga anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj.

Në reagimin e saj ZVAP Kamzë thekson se, në të gjitha shkollat procesi mësimor ka nisur më dt. 12 .09.2022.

“Në keqardhje të plotë për shpifjet dhe përdorimin e nxënësve të shkollave nën juridiksionin e Zyrës Vendore Arsimore Kamzë për interesa politike, dëshirojmë të bëjmë me dije se në të gjitha shkollat e ZVAP Kamzë procesi mësimor ka nisur më dt. 12 .09.2022. Pushteti vendor, por edhe Zyra Arsimore janë kujdesur që të gjithë nxënësit ta nisnin këtë vit të ri shkollor sa më mirë”, thuhet në deklaratë.

“Është për të ardhur keq që nuk pasqyrohet realiteti në lidhje me punën serioze që po bëhet me arsimin në Kamzë, nuk vihen re shkollat dhe godinat e reja që janë ndërtuar me të gjitha kushtet më të mira, të cilat sot janë fakt i prekshëm nga gjithë komuniteti.
Duhet të theksojmë se shkollat që janë bërë pjesë e rikonstruksionit janë institucione me kushte infrastrukturore të vështira dhe të rrezikshme për jetën e nxënësve dhe stafeve pedagogjike”, vijon deklarata.

ZVAP Kamzë shprehet se, në asnjë rast nxënësit nuk përshkojnë 5 km për të ndjekur mësimin pasi pushteti lokal ka ofruar shërbimin e transportit

“Në asnjë rast nxënësit nuk përshkojnë 5 km për të ndjekur mësimin në godinat në të cilat janë zhvendosur. Pushteti lokal ka ofruar shërbimin e transportit (me autobusë) për nxënësit e këtyre shkollave. Nxënësve u është ofruar pagesa e transportit nga ana bashkisë, edhe pse pjesa më e madhe e nxënësve janë në distancë më të afërt me shkollat përkatëse se sa përcaktimi i VKM-së së transportit”, theksohet në deklaratë.

Në deklaratë thuhet se, “Zyra Arsimore e Kamzës ka qenë mjaft e kujdesshme për të gjithë nxënësit për sa i përket të drejtës së transportit, duke marrë të dhëna të përpikta për largësinë dhe kilometrat që nxënësit duhet të përshkojnë çdo ditë. Edhe pse distanca për nxënësin mund të jetë 1 – 1, 5 km, nxënësve u është ofruar shërbim transporti. Në të gjitha shkollat ku nxënësit janë vendosur, ofrohen kushte mësimore infrastrukturore bashkëkohore”.

Zyrës Vendore Arsimore Kamzë bën të ditur se, falë investimit që bashkia Kamzë ka bërë në infrastrukturën arsimore, sot kemi shkolla dhe institucione arsimore me kushte dhe standardet më të mira. Theksojmë se në asnjë rast nuk është cenuar qoftë edhe një minutë e procesit mësimor.

“Drejtoritë e shkollave, stafet pedagogjike kanë qenë gjithmonë të gatshëm dhe të angazhuar për një mbarëvajtje të mirë e të suksesshme të procesit mësimor. Mirëpresim dhe jemi mjaft të hapur ndaj çdo kërkese apo ankese që prindërit apo nxënësit mund të hasin”, përfundon deklarata.

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj reagoi sot për prishjen e shkollave në Kamzë, që sipas saj “po detyron qindra nxënës të transferohen në shkolla të tjera 5 kilometra larg vendbanimeve”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama publikon fotoalbumin e javës nga vizita në SHBA
Artikulli tjetërPërkeqësim i motit, MM dhe AKMC thirrje bashkive të marrin masat