Ballina Flash

Tetori gjerman, Zingraf: Dëshmi e partneritetit të ngushtë

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Me rastin e çeljes së javëve të kulturës gjermano-shqiptare, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf u shpreh sot përmes një videomesazhi se këto javë dëshmojnë se sa i ngushtë është partneriteti gjermano-shqiptar dhe se sa e qëndrueshme është mbështetja e Gjermanisë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Që prej vitti 2007 Javët Gjermane të Kulturës dëshmojnë se sa i ngushtë është partneriteti gjermano-shqiptar dhe se sa e qëndrueshme është mbështetja jonë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Pikërisht në kohë të vështira – kemi sërish luftë në Evropë – arti dhe kultura mund të ndihmojnë të përjetojmë momente shkujdesjeje dhe të çelim perspektiva të reja”, tha Zingraf.

“Për këtë arsye motoja që kemi gjetur për Tetorin e këtij viti është ‘Lichtblicke – Përndritje’, me shpresën që këtë muaj të përjetojmë së bashku shumë çaste përndritjeje”, u shpreh ai.

“Do ta shihni vetë: kemi kërcim, muzikë klasike, jazz, ekspozita, filma, mbrëmje leximi… mendoj se do të përjetojmë një program të plotë e të larmishëm. Edhe GIZ do të prezantohet gjatë këtij Tetori Gjerman përmes shumë aktivitetesh, duke dashur kësisoj të dokumentojmë se sa e shumëllojshme është mbështetja jonë për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së”, theksoi Zingraf.

Javët e kulturës gjermano-shqiptare fillojnë më 29 shtator. Këtë vit Tetori Gjerman mban moton “Përndritje”.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKumbaro: Turizmi malor dhe ruajtja e mjedisit, dy shtylla prioritare
Artikulli tjetërValteri: Prova të reja në SPAK për Metën