Ballina Flash

”Description de I’Egypte”, ekspozohet koleksioni i rrallë i Bibliotekës Kombëtare

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ ”Description de I’Egypte”, një nga koleksionet e rralla në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë u ekspozua sot në hapësirat e Teatrit të Operas dhe Baletit, në kuadër të Javës së Kulturës së Egjiptit, në prani në ministres së Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti dhe homologes së saj egjiptiane Nevin El Kilany.

“Description de l’Egypte” është ndër ato ekspozitat e pakta që tërheq interesin e gjithanshëm të njerëzve të letrave, të historianëve, piktorëve, koleksionistëve, njerëzve të arkivave… Sepse bëhet fjalë për një koleksion të rrallë, që pikënisjen e ka që në ekspeditat e dërguara nga Napoleon Bonaparti, në shek. XVIII dhe që zbulojnë një botë të panjohur për ne europianët”, u shpreh Margariti.
Margariti theksoi se, ekspozita e realizuar nga Biblioteka Kombëtare është shenjë mikpritjeje për Ministren e Kulturës së Egjiptit, Nevin Al Kilani, që na nderoi me prezencën e saj në hapjen e Javës Kulturore Egjiptiane, por nga ana tjetër “rigjetja” e këtij koleksioni ka qenë një rizbulim edhe për vetë ne.
Duke publikuar dhe foto nga ekspozita në rrjetet sociale ministrja tha se, ky është një koleksion i rrallë mbi Egjiptin, i punuar me kaq shumë finesë, i ruajtur në kushte mjaft të mira, që të grish të mësosh më shumë jo vetëm rreth këtyre botimeve, për teknikat që janë realizuar imazhet, por edhe për origjinën e tyre. Por këta nuk janë librat e vetëm të rrallë, që ende nuk i njohim në bibliotekën tonë dhe që fshehin në faqet e tyre një tjetër histori, përveç asaj të shkruar në to.
“Shumë shpejt do të hapim një tjetër hapësirë, atë që dikur e kemi quajtur “Aneksi i Bibliotekës”, që pas restaurimit të godinës historike të dëmtuar nga tërmeti, do të kthehet në një qendër aktive dedikuar librit, ku mund të mësohet më shumë rreth këtyre librave të rrallë, por edhe një qendër e dialogut, e të rinjve, duke i shtuar edhe elementin digjital”, tha Margariti.

E konsideruar si një prej arritjeve të mëdha jo vetëm shkencore, por edhe artistike të kohës, kjo vepër që përmban 844 gravura, vepër e disa prej artistëve më të njohur të kohës, ushtroi ndikim të madh në mbarë Europën.

Në fakt, ajo shënon jo vetëm fillimin e egjiptologjisë si disiplinë shkencore, por njëkohësisht edhe lindjen e pasionit për artin e Egjiptit të lashtë, në mbarë botën perëndimore.

Për vetë cilësinë e jashtëzakonshme tipografike, bukurinë dhe përmbajtjen e saj, kjo vepër e famshme përbën një nga perlat e koleksionit të botimeve të rralla të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Me të 11 vëllimet e saj, që sillen në këtë ekspozitë mbulohen aspekte nga më të ndryshmet të Egjiptit të lashtë e të Egjiptit modern. Kjo është hera e parë që ky koleksion i prezantohet publikut shqiptar.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEvidentimi i hershëm i viruseve, hapet në Universitetin Bujqësor laboratori i parë në rajon
Artikulli tjetërCilat janë vitaminat më të mira të flokëve?