TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Ministrja e Financës dhe Ekonomisë, Delina Ibrahiimaj priti sot në një takim zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Ministrja Ibrahimaj shprehu vlerësimet për bashkëpunimin e stafeve të të dy ekipeve, si dhe për mbështetjen që FMN po vijon të japë në kuadër të Artikullit IV të marrëveshjes.
Ibrahimaj e njohu Li me masat e ndihmës financiare që po ndërmerr vendi ynë në lidhje me krizën e shkaktuar nga rritja e çmimeve, si dhe me reformat që po zbaton.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i FMN, Bo Li, nga ana e tij konsideroi se, Shqipëria ka treguar qëndrueshmëri të konsiderueshme përballë tre goditjeve të njëpasnjëshme, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe atë financiar.
“Ai vlerësoi përgjigjen me shpejtësi të autoriteteve ndaj këtyre goditjeve, duke ndërmarrë politika dhe masa që kanë ndihmuar në zbutjen e efekteve”, theksoi Ibrahimaj në një postim në rrjetet sociale.
/r.e/























