Ballina Aktualitet

PD dënon sulmin e hakerave iranianë

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo u shpreh sot se PD dënon sulmin e hakerave iranianë ndaj infrastrukturës digjitale të vendit, teksa falënderon me mirënjohje dënimin e këtyre sulmeve nga SHBA, NATO dhe BE.

Në një deklaratë nga selia e PD-së, Garo tha se, “këto ditë, hakera të regjimit të ajatollahëve iranianë kanë ndërmarrë një agresion të vërtetë ndaj infrastrukturës digjitale të vendit, duke kërcënuar rëndë sovranitetin e vendit, sigurinë kombëtare, dhe duke krijuar kaos të madh në shërbimet dhe lëvizjen e qytetarëve”.

“Me këto sulme, Irani ka dhunuar, si shtet zuzar, ligje dhe konventa ndërkombëtare. PD dënon me forcën më të madhe këto akte banditeske të regjimit teokratik iranian dhe falënderon me mirënjohje dënimin e këtyre sulmeve nga SHBA, NATO dhe BE. PD gjithashtu vlerëson mbështetjen e tyre për Shqipërinë”, theksoi Garo.

Duke analizuar këto sulme, të cilat asgjësuan sikur të ishte prej letre, infrastrukturën digjitale të vendit, PD shton se, asgjësimi me kaq lehtësi i kësaj infrastrukture i ka rrënjët në dy faktorë të tjerë madhorë: Së pari, hakerimin e sistemit për qëllime elektorale nga vetë qeveria, duke pajisur 1 milion patronazhistë me të dhënat personale të qytetarëve, të depozituara në e-Albania, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Pas këtyre, hakerimi me pasoja të rënda i pagave të punonjësve, targave të makinave, të gjitha këto paraprin hakerimin dhe de facto asgjësimin e ‘shtetit’ digjital të Edi Ramës.

Së dyti, shtoi zëdhënësja e PD, “korrupsioni i tmerrshëm qeveritar, në këtë rast i AKSHI-t”.

“Partia Demokratike deklaron se një nga arritjet më madhore të qeverisjes së viteve 2005-2013 ishte ndërtimi i një infrastrukture digjitale, rritja vertikale e përdorimit të internetit nga 4.9% në vitin 2005 në 63% në vitin 2013, ndërtimi i resë të parë qeveritare në rajon, shtrirja e internetit në të gjitha shkollat e vendit, digjitalizimi i plotë i Kadastrës së Tiranës dhe disa rretheve të vendit, digjitalizimi i Gjendjes Civile, letërnjoftimet dhe pasaportat digjitale, firma digjitale dhe inaugurimi i “e-government” dhe “e-Albania”. Të gjitha këto u arritën me angazhimin e kompanive më të mira shqiptare dhe të huaja”, tha Garo.

“Pas ndërtimit të kësaj infrastrukture, objektiva më madhore mbeteshin sigurimi i plotë i sistemit dhe pasurimi i arkivës së saj. Për sigurimin e sistemit me rekomandimin e autoriteteve amerikane direkt në vartësi të Këshillit të Ministrave, u ngrit njësia e mbrojtjes kibernetike të sistemit, e përbërë nga ekspertë të përzgjedhur dhe të kualifikuar në këtë fushë në SHBA. Serverët e sistemit u vendosën në vendet më të sigurta brenda vendit”, theksoi Garo.

“Me ardhjen e Edi Ramës në pushtet, aktin e parë që bëri, shkriu njësinë e sigurisë kibernetike duke e konsideruar si njësi spiunazhi digjital. Së dyti, me tendera të dyshimtë, serverët e sistemit u transferuan jashtë vendit”, tha Garo.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak​Osmani për dialogun: Idetë që nuk sjellin njohje reciproke nuk kontribuojnë për paqe afatgjatë
Artikulli tjetërINSTAT: Paga mesatare rritje me 7 %