TIRANË, 13 shtator/ATSH/ Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të dytë 2022, është 60.666 lekë, duke u rritur me 7 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi së fundmi raportin mbi pagat sipas të cilit, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e “aktiviteteve financiare dhe të sigurimit”, është 2.16 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e “bujqësi, pyje dhe peshkim” është 34 % më e ulët.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, paga mesatare bruto për aktivitetin e ndërtimit, ka rritjen më të madhe prej 13.4 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup aktiviteti i administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale prej 0.1 %.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se gjatë tremujorit të dytë 2022, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në grup-profesionin e menaxherëve, ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë është 68.4 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e punëtorëve (profesione elementare) është 36.3 % më e ulët.

/r.e/














