TIRANË, 13 shtator/ATSH/ Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi bëri të ditur se instrumenti financiar për asistencën e paraanëtarësimit, IPA III mbështet reformat politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike të Shqipërisë, nën optikën e anëtarësimit në BE.
Marrëveshja për rregullat specifike të zbatimit të asistencës financiare të BE-së, për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të instrumentit për asistencën e paraanëtarësimit (IPA III) u miratua një ditë më parë, në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.
“Duke diskutuar mbi vështirësitë, problematikat dhe nivelet e përthithjes së këtyre fondeve, vlerësuam mësimet e nxjerra deri tani nga zbatimi i IPA-ve të mëparshme. Risitë e kësaj marrëveshjeje, si dhe përvoja e fituar do të shërbejnë për një hap cilësor në përputhshmërinë me kriteret themelore të anëtarësimit”, u shpreh Shalsi.
Shalsi tha se në ndryshim nga IPA-t e mëparshme dhe marrëveshjet e tjera financiare, te IPA III, qeveria shqiptare do të zbatojë përjashtimin nga TVSH, dhe jo rimbursimin më pas.
/r.e/























