TIRANË, 30 gusht /ATSH-I.Vata/ Partia Demokratike deklaron se “Pasaporta e artë”, e paraqitur si nismë e qeverisë për të ofruar biznesin dhe investimet e huaja, rrezikon sigurinë e vendit, rajonit dhe Bashkimit Evropian.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo deklaroi se PD e kundërshton këtë nismë të qeverisë, “sepse i hap rrugë, si personazheve me kapacitete financiare kriminale apo të dyshimta, të lidhura ngushtë me Edi Ramën, ministrave dhe zyrtarëve të tij, ashtu edhe celulave të terrorizmit ndërkombëtar”.
“Ky është qëndrimi ynë i palëkundur dhe që shkon në drejtim të interesit publik. Qëndrimi ynë mbështet edhe qëndrimin e drejtë të Komisionit Evropian i cili e ka thënë qartë: Skema të tilla paraqesin rrezik në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit dhe infiltrimin nga krimi i organizuar dhe janë të papajtueshme me legjislacionin e BE-së”, deklaroi Garo.
/r.e/














