Ballina Aktualitet

Meta: Prova të reja për inceneratorët në SPAK

TIRANË, 9 gusht /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se qeveria i ka dhënë mundësi kompanive të inceneratorëve që të marrin kredi në banka të ndryshme duke lënë kolateral pronat publike.

Në një konferencë për mediet, Meta theksoi se ekipi do të paraqesë të gjitha këto veprime dhe akte pranë SPAK dhe institucioneve të drejtësisë, por sipas tij, gjykatësi më i mirë do jetë populli i Tiranës dhe i Shqipërisë.

“Pasi pamë që miliona euro nga qytetarët shqiptarë për llogari të këtij grupi të strukturuar kriminal. Të moshuar që jetojnë në azile, barinj në Greqi, firmat e të cilëve janë falsifikuar për të rrëmbyer kjo organizatë kriminale miliona euro, pasi pamë edhe se  edhe fondet e e Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR që duhet të shkojnë në mbështetje të fermerëve dhe të bujqësi, edhe ato kanë përfunduar në duart e kësaj organizate kriminale, sot do të tregojmë se si qeveria shqiptare, me kokën e grupit kriminal Edi Rama, ka vënë në dispozicion të kësaj skeme të organizuar kriminale edhe pronat publike të cilat janë lënë peng në bankat e ndryshme për parat që shkojnë përtej detit”, tha Meta.

Ndërsa, koordinatorja kombëtare antikorrupsion në Partinë e Lirisë, Briseida Shehaj, tha se inceneratori i Tiranës ka marrë kredi 16 mln euro duke lënë peng pronat publike.

“Në faqen 19 të kontratës për inceneratorët e Tiranës. Këtu nis gjithçka. Neni 5/2/2, e thotë qartë se kompania ka të drejtë të lënë garanci, peng, kolateral për të marrë kredi në bankat e nivelit të dytë dhe jo vetëm prona, por dhe sheshe dhe rrugët e kalimit për të shkuar te prona. Nga kjo faqe numër 19 në kontratë nis gjithçka. Kompania e Tiranës ka marrë gjithsej 8 kredi, rreth 16 mln dollarë.  Ka marrë kredi për fond për pagat Inceneratori i Tiranës rreth 250 mijë euro edhe kur nuk punonte”, tha Shehaj.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBordi i Transparencës: Çmimi i naftës, 216 lekë për litër
Artikulli tjetërHysenllari: 34 vatra zjarri në 24 orë, 1004 forca operacionale në terren