PIZA, 28 korrik /ATSH/ – Ne nuk do të operohemi ende nga një kirurg android për shumë vite në vijim, por teknologjia vazhdon të përparojë dhe përdorimi i robotëve në sallën e operacionit gjithashtu do të ndryshojë, shkruan focus.it.
Studiuesit nga Departamenti i Oftalmologjisë i universitetit ”Johns Hopkins” në Baltimore (SHBA), për shembull, besojnë se kirurgjia robotike gjithashtu mund të ndihmojë oftalmologët të operojnë në retinë dhe katarakte, sepse mikrolëvizjet janë të mundshme me mjete robotike do të lejojnë ndërhyrje edhe më të sakta dhe më të sigurta.
Gjithashtu shkenca po teston platforma robotike të cilat falë manovrimit të krahëve robotikë përdorin rrugë natyrale të hyrjes dhe në të ardhmen operacioni do të jetë pa plagë, sepse do të mund të arrihet në zonën që do të operohet duke hyrë nga goja ose vrima të tjera natyrore.
“Sistemet tashmë në përdorim do të bëhen gjithnjë e më të vogla dhe më të manovrueshme, por mbi të gjitha do të integrohen gjithnjë e më shumë me metodat e imazherisë diagnostikuese, si CT në tre dimensione dhe me algoritme të inteligjencës artificiale”, thotë Franca Melfi, profesoreshë e kirurgjisë torakale i Universitetit të Pizës dhe drejtor i Qendrës Multidisiplinare Robotike të Spitalit Universitar të Pizës.
Po aq e sigurt është se platformat e kirurgjisë robotike nuk do të zëvendësojnë kurrë kirurgët e jetës reale. Por ato do të jenë thelbësore për t’i trajnuar ata.
Platformat robotike mund të jenë gjithashtu çelësi për të kompensuar mungesën e trajnimit, sepse ato e lejojnë atë të bëhet nga distanca: një kirurg tashmë mund të lidhet nga distanca me 1 000 apo 2 000 kolegë për të treguar, falë robotit, se si të kryhet një operacion dhe e gjithë kjo do të ndihmojë në garantimin e barazisë më të madhe në aksesin ndaj kirurgjisë, për shembull në vendet në zhvillim./ /os/























