Ballina Flash

Michel: E ardhmja jonë e përbashkët më e sigurt me ju brenda BE-së

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel dha sot një videomesazh në koncertin festiv në sheshin “Skëndërbej”.

“Të dashur shqiptarë. Pak ditë më parë, miku im i mirë, vëllai im, kryeministri juaj Edi Rama më propozoi të marr pjesë në këtë festë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që më në fund arritëm këtë vendim të rëndësishëm. Ne vendosëm të hapim dyert e negociatave me Shqipërinë”, tha Michel.

“Unë kam një mesazh për ju: Jam plotësisht i bindur se ne ndajmë të njëjtat vlera, të njëjtat parime, kemi të njëjtat ëndrra, të njëjtat shpresa dhe duam më të mirën për fëmijët tanë. Dhe jam plotësisht i bindur se e ardhmja jonë e përbashkët do të jetë më e sigurt, do të jetë më e begatë me ju brenda BE-së dhe me të gjithë Ballkanin Perëndimor brenda BE-së. Suksese Shqipëri. Përqafime për të gjithë ju! Urimet më të mira. Dhe veçanërisht  një përqafim i madh për ty, i dashur Edi!”, theksoi Michel në videomesazhin e tij drejtuar qytetarëve shqiptarë.

Gjithashtu një videomesazh urimi ka dhënë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, në koncertin festiv në sheshin “Skëndërbej”.

“Miqtë e mi të dashur shqiptarë, javën e kaluar Shqipëria dhe BE nisën negociatat e anëtarësimit. Sa çast prekës dhe historik. Për Shqipërinë dhe për bashkimin tonë. Prandaj edhe pse nuk mund të jem me ju personalisht sonte, jam shumë e lumtur, të jem pjesë e festimeve tuaja! Ju mund të jeni vërtetë krenarë për atë që keni arritur. Urime nga thellësia e zemrës time !”, tha Von Der Leyen.

“Ne më në fund mund të nisim negociatat dhe ky është para së gjithash suksesi juaj! Ju u siguruat që Shqipëria të përparonte në mënyrë të qëndrueshme në rrugën e saj evropiane. Ju forcuat shtetin ligjor dhe sistemin tuaj të drejtësisë, duke rritur luftën kundër korrupsionit. Ju keni nisur të modernizoni ekonominë tuaj, duke diversifikuar burimet tuaja të energjisë , duke shkuar drejt një të ardhmeje më të gjelbër, më të qëndrueshme dhe më digjitale. Një e ardhme, e bërë në Evropë, bërë nga ju!”, tha ajo.

“Ju i keni bërë të gjitha këto ndryshime, jo vetëm se ishin të nevojshme, për rrugën tuaj drejt BE. Ju para së gjithash e bëtë këtë sepse i deshët ju për të mirën e vendit tuaj”, theksoi Von Der Leyen.

“Sonte dua t’ju nxis që të vazhdoni në këtë frymë. Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor është plot me mundësi për të punuar së bashku. Ai po nxit tregtinë dhe turizmin, çka do të thotë punë më të mira, mundësi të reja biznesi dhe një jetë më të mirë për shqiptarët. Kjo jetë më e mirë fillon në shkollë. Këtë mund ta shoh vetë, kur vizitova vendin tuaj të bukur shtatorin e kaluar. Aktualisht janë rreth 60 shkolla që po rindërtohen me ndihmën e “BE për Shkollat”. Me këto fonde ne nuk mbështesim vetëm shkollat e dëmtuara apo të shkatërruara nga tërmeti. Me këtë investim ne, para së gjithash, garantojmë që këto shkolla janë të përshtatshme për t’i shërbyer një brezi të ri fëmijësh dhe studentësh shqiptarë. Një brezi të ri evropianësh krenarë. Ata janë e ardhmja jonë e përbashkët. Ju uroj një koncert të mrekullueshëm! Faleminderit”, tha Von Der Leyen.

Shefi i Diplomacisë Evropiane dhe Zv.President i Komisionit Europian Josep Borrell Fontelles, dha sot një mesazh për koncertin festiv në sheshin “Skëndërbej”.

“Vendimi i javës së kaluar për të nisur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE shënon një arritje të madhe dhe rezultatin e një pune shumëvjeçare. Në momentin kur e paimagjinueshmja është bërë realitet përsëri dhe një luftë po bëhet në mes të kontinentit tonë, ne duhet të qëndrojmë më pranë së bashku, më shumë se kurrë. Qoftë në Tiranë, në Bruksel apo në Nju Jork, ju keni marrë vendimin të qëndroni me Ukrainën kundër agresionit rus”, tha Borrell.

“Ne e dimë se vendimi i duhur nuk është i lehtë. Për shembull vetëm pak ditë më parë, qeveria shqiptare u trondit nga një sulm masiv kibernetik. Por Shqipëria mund të mbështetet tek ndihma e BE për të kundërshtuar veprimet dashakeqe të fuqive të treta dhe te mbështetja e BE-së për të trajtuar pasojat e agresionit rus ndaj Ukrainës”, theksoi Borrell.

“Shqipëria ka qenë gjithmonë një zë motivues në rajon, duke përfshirë edhe ndihmën në dialogun Beograd-Prishtinë. Vendi juaj dha një shembull për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe kjo punë do të bëhet edhe më e rëndësishme ndërsa shkoni drejt anëtarësimit në BE. Pres me padurim të vazhdojmë të ecim së bashku në rrugën tonë të përbashkët të BE-së. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin, sepse jemi më të fortë së bashku. Shijojeni koncertin, sepse edhe muzika na bashkon”, u shpreh Borrell.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNJU JORK – OKB: Eksportet e grurit ukrainas rifillojnë të premten
Artikulli tjetërRama: Shqipëria e ka vendin nën qiellin e Europës së Bashkuar