TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Bujtina “Siar” në Buçimas, Pogradec, është një tjetër sipërmarrje e mbështetur nga programet AZHBR/IPARD 2.
Kjo bujtinë u ngrit nga Polikseni, një i ri 25-vjeçar, i cili aplikoi për të përfituar nga programet AZHBR/IPARD 2.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca vizitoi nga afër këtë bujtinë, e cila shtrihet në një hapësirë prej 1000 m2 me 9 dhoma druri pranë pishinës.
“Kjo bujtinë ka një muaj që është hapur. Tani duhet të bëjmë që ta lidhim fermën, sepse jemi në Buçimas, që është një zonë rurale dhe produktet e fermerëve mund të konsumohen dhe të shiten këtu dhe t’i sillni në mënyrën më të mirë në gastronominë tuaj që ju karakterizon. Jeni 50 m larg liqenit”, tha Krifca.
Krifca u shpreh se, “kjo bujtinë është një ndër 70 subjektet agroturistike që ne kemi mbështetur gjatë këtyre viteve nëpërmjet programeve tona të mbështetjes, drejtuar diversifikimit të fermave dhe rritjes së agroturizmit”.
“Më vjen shumë mirë që e shohim sot të përfunduar, që jeni përtej parashikimeve”, tha Krifca.
Polikseni u shpreh se “çdo gjë ka shkuar mbi parashikimin tonë. Me një muaj biznes i ri kemi pasur prenotime, organizimi ka qenë shumë i mirë. Të gjithë që kanë ardhur kanë mbetur të kënaqur. Programi na ka dhënë 65% mbështetje, është një ndihmë e madhe”.
Ai shprehet se publikimi i bujtinës në rrjetet sociale nga Kryeministri Edi Rama i ka ndihmuar shumë për promovimin.
Agroturizmi po merr gjithnjë e më shumë zhvillim në zona të ndryshme turistike të vendit përmes bujtinave të ngritura. Transformimi i zonave rurale në peizazhe atraktive, ka nxitur krijimin e agroturizmit, si një model i ri i zhvillimit rural në Shqipëri.
Programi i qeverisë për bujqësinë ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit.
/k.s/r.e/























