Ballina Flash

Rama me kryebashkiakët: Të financohet shkolla e minoritetit grek në Dropull

TIRANË, 22 korrik/ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama kërkoi gjatë takimit me kryebashkiakët e vendit në Pogradec, që të gjendet mundësia e financimit të shkollës së minoritetit grek në Dropull.

Në panelin ku u adresuan punët e kryera dhe projektet e bashkive të qarkut të Gjirokastrës, Rama tha fillimisht se 2 bashki në këtë qark, Përmeti dhe Gjirokastra, janë shembuj të rëndësishëm për kanalet e reja të financimit duke përdorur fondet e BE-së dhe fondet e donatorëve të tjerë.

“Jemi një vend që negociojmë për anëtarësimin dhe kur vendet hyjnë në këtë fazë mundësia për t’u përfshire më shumë në kanalet e financimit rritet, ashtu sikundër ne po përpiqemi dhe bashkë me Holandën do paraqesim një nismë në tetor për të kërkuar një hapësirë të re për financimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por kjo është një temë tjetër”, tha Rama.

Rama tha se aspekti tjetër është aspekti që ka të bëjë me minoritetin.

“Nuk e kuptoj pse shkolla e Dropullit nuk është financuar, por duhen marrë masa të financohet. Ne i kemi dhënë rëndësi por duhet t’i japim rëndësi të posaçme shkollave të minoritetit. Shkollat e minoritetit janë shumë të rëndësishme për ne, jo thjesht për fëmijët minoritarë, por të rëndësishme për ne si vend, si shtet, si komb, si popull dhe të gjitha. Natyrisht se minoriteti grek ka një vend të posaçëm për vetë peshën që zë. Kështu që të gjendet mënyra e të financohet menjëherë”, tha ai.

Rama theksoi se nuk ka patur asnjëherë probleme me minoritetin. “Ne kemi një legjislacion rrezatues në gjithë bashkësinë e vendeve të BE-së dhe e kemi bërë pa na e kërkuar njeri, sepse e kishim me standarde të Këshillit të Europës dhe e thelluam për të gjitha minoritetet, jo vetëm për minoritetin grek”, tha Kryeministri.

“E dyta, jemi duke punuar me aktet nënligjore për ta plotësuar kuadrin. E treta, i kemi dhënë rëndësi të posaçme minoritetit apo bashkive ku minoriteti është domethënës, por pa përjashtuar dhe vendet e tjera ku ka familje minoritare”, tha Rama.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNdahet nga jeta para kohe komisar Edi Veli
Artikulli tjetërBAKU – Petkov dhe Aliyev diskutojne furnizimet shtese azere me gaz per Bullgarine