TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i kërkoi sot në Kuvend opozitës që të ketë dakordësi për çështjet që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Duke folur për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, Balla tha se, “ndoshta ne në këtë sallë nuk e kemi kuptuar ende se sa e rëndësishme është për Shqipërinë kjo arritje historike, e cila në fakt duhet të kishte ndodhur 4 vite më parë, por besoj që edhe kjo anë e sallës u sqarua, se gjithë vonesa nuk kishte të bënte aspak me plotësimin nga ana e Shqipërisë të detyrave të shtëpisë, por ishte një detaj i karakterit teknik që lidhej me një veto që Republika bullgare kishte vendosur lidhur me ecjen në këtë proces të Maqedonisë së Veriut. Fakti që në momentin që mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut kjo u zgjidh, u mbajt në kohë rekord. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që Kolegji i Komisionerëve të realizonte në një kohë treditore gjithë punën për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Besoj që kësaj duhet t’i gëzohemi të gjithë, duhet t’i gëzohen të gjithë shqiptarët, sepse në fund të fundit është një arritje e të gjithë shqiptarëve”.
“Ndërsa bisedoja me një diplomat të rëndësishëm në Tiranë para godinës së Këshillit të Ministrave ditën e djeshme në momentin e ngritjes së flamurit të BE, ajo që do të doja të sillja këtu nga goja e këtij diplomati ishte “opozita shqiptare mungon kur e ftojnë dhe në fakt ankohet kur nuk e ftojnë”. Ne do kishim shumë dëshirë që drejtuesit e Komisioneve, drejtuesit e grupit parlamentar të PD-së të ishin bashkë me ne në atë moment të ngritjes së flamurit të BE-së në godinën e ekzekutivit”, theksoi Balla.
“Jemi në atë fazë të procesit kur çdo shqiptar duhet të duhet të ndihet evropian. Marrëveshja për anëtarësim mund të kërkojë 34 muaj, si në rastin e Letonisë, Sllovakisë, mund të kërkojë dhe më shumë, 54 muaj në rastin e Bullgarisë dhe Rumanisë. Mund të kërkojë edhe mbi 100 muaj si në raste të tjera, por nga ky moment nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria do të jetë anëtare e BE. Këtë kohën që po nënqeshnin kolegë këtu të opozitës pa hyrë në emra konkretë, varet nga ne dhe se si do të dimë ne ta shfrytëzojmë. Natyrshëm këtu Kuvendi ka një detyrë tepër specifike”, tha Balla.
“I propozoj opozitës që për çështjet që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, për çështjet që lidhen me transpozimin e ligjeve, me përafrimin e legjisalcionit shqiptar me acqui communitaire, ne të kemi dakordësi dhe të mos kompleksohemi nga debati politik i ditës apo nga interesat e vogla politike. Në këtë fazë të procesit është shumë e rëndësishme të jemi bashkë”, u shpreh Balla.
“Jo pa qëllim e përmenda Letoninë dhe Sllovakinë, që janë rastet me kohën më të shkurtër të negocimit të marrëveshjes, sepse në më pak se tre vite arritën të mbyllnin kapitujt”, theksoi Balla.
“Ajo që ka rëndësi është që në këto vende nëse shkoni dhe pyesni përgjatë kësaj kohe ka pasur dialog politik konstruktiv dhe marrëveshje në të mirë të vendit. Shumë ligje që do të duhet t’i përafrojmë do të kërkojnë 84 vota dhe PS nuk i ka. Mendoj që është momenti i duhur që në emër të Shqipërisë evropiane, grupi parlamentar i PD që është grupi më i madh i opozitës, duhet të shprehet në favor të nevojës për të bashkëpunuar. Nuk është herezi bashkëpunimi me shumicën”, u shpreh Balla.
“Shumë të gatshëm për të nisur menjëherë në seancën e parë të sesionit të ardhshëm të fillojmë punën për ndryshimin e ligjit për rolin e Kuvendit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Jemi në fazë tjetër. KY ligj kishte vlerë deri pardje. Prej sot ligji është tepër i vjetër për rolin që duhet të luajë Kuvendi si një rol udhëheqës në këtë proces. Mendoj që nuk kemi shumë gjëra për të qenë kundër. Ajo që ka konsensusin e plotë publik në Shqipëri është nevoja të bëhemi bashkë për të përfunduar këtë proces”, tha Balla.
Balla nënvizoi se, “presidenti Macron propozon një komunitet të ri politik, që nuk është zhvendosje nga procesi i anëtarësimi, por është një afrim i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor për të njehsuar çështje të politikës së jashtme, dhe pastaj kancelari Scholz është shumë më optimist, që flet për një anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda një kohe 4 apo 5-vjeçare. Qofshin të dyja të vërteta dhe qofshin të dyja të mundshme, ajo që na takon ne, duhet ta bëjmë”.
“Meqë sot disa deputetë prekën qasjen e njëjtë të Mbretërisë së Bashkuar, pas sanksioneve të vendosura nga DASH, shpalljeve ‘non grata’ nga DASH dhe ato të Departamentit të Thesarit, jam këtu për ta përshëndetur vendimin e fundit të Mbretërisë së Bashkuar, e cila në një kuadër të luftës globale antikorrupsion ka njehsuar listën e shpallur nga SHBA dhe natyrshëm që pyetja që shtrohet në këto raste është për njërin që është në fund të sallës. Pyetja është: mirë Atlantikun me not nuk e kalove dot, La Manshin e kalon dot me not ‘non grata’ e PD-së? Kjo është pyetja. Po e kaloi dot me not, besojmë që biem të gjithë dakord që mund t’ia arrijë qëllimit”, u shpreh Balla.
/j.p/r.e/












