Ballina Flash

Rama: Pas hakerave qëndron një shtet tjetër, jo një bandë dosido që merret me gjoba

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “gjyqet me median për shpifje, përfshirë edhe shpifjet që përhapin panik, nuk janë në praktikën e qeverisë sonë”.

Në një reagim në rrjetet sociale për një shkrim të botuar nga Top Channel për sulmin kibernetik ndaj e-Albania-s, Kryeministri Rama i bëri thirrje publike TCH “të ndalë menjëherë valën e shpifjeve dhe përhapjen e panikut lidhur me pasojat e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë”.

“Lajmet për një gjobë 30 milionë euro nga hakerat apo për shkatërrimin e të dhënave janë krejt të rreme. Qeveria ka informuar aq sa mund të informojë, në ndërkohë që lufta nuk ka mbaruar dhe pas hakerave qëndron një shtet tjetër, jo një bandë dosido digjitale që merret me gjoba”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “AKSHI dhe një skuadër e superspecializuar ekspertësh të huaj po luftojnë natë e ditë për rimëkëmbjen e plotë në kohë rekord të sistemeve pas zmbrapsjes së sulmit. Është e turpshme që të gënjehet publiku në këtë farë feje, cilatdo qofshin motivet e kësaj vale shpifjesh haluçinante”.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprake-Albania rikthehet në funksion për 1118, nga 1225 shërbimet elektronike 
Artikulli tjetërPRAGË – Republika Çeke blen armatime suedeze dhe avionë amerikanë F-35