TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë të mbështesin reformën në drejtësi në Shqipëri.
Zv/ndihmëssekretarja e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, ambasadorja Lisa Johnson ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë.
Ajo zhvilloi sot një takim me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja ku u bisedua mbi vijimin e mbështetjes së qeverisë së Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë përmes një postimi në rrjetet sociale informon se, “qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar ndaj reformës në drejtësi dhe luftës së Shqipërisë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve. Ndërsa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ne qëndrojmë krah për krah me Shqipërinë”.
/r.e/






















