Ballina Bota

FOKUS – Evropa nën pushtetin e zjarreve dhe temperaturave sahariane

PARIS, 18 korrik /ATSH-DPA/ – Zjarret në pyje që shpërthejnë në brigjet e Atlantikut të Francës vazhduan të përhapen në jug të Bordosë, ndërsa një valë e nxehtë i vendosi komunitetet nga Greqia në Britaninë e Madhe në gatishmëri të lartë.

Landiras, në juglindje të Bordosë, dhe Teste-de-Buch, direkt në bregdetin në jugperëndim, ishin ndër zonat e prekura rëndë.

”Të paktën 3 500 persona të tjerë u evakuuan”, tha Vincent Ferrier, një zyrtar lokal.

Që nga shpërthimi i zjarreve të martën, më shumë se 16 000 njerëzve u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre.

Klima në rajon ka vazhduar të jetë e ngrohtë, me temperatura që pritet të arrijnë në 44 gradë Celsius në departamentin e Gironde.

”Zjarri në ishullin grek të Kretës, i cili shpërtheu të premten dhe detyroi evakuimin e disa fshatrave, ishte nën kontroll, por nuk është shuar ende”, theksuan autoritetet.

”Rreth 120 zjarrfikës vazhduan të luftojnë flakët”, raportoi gazeta ”Kathimerini”.

Rreziku i zjarreve konsiderohet “shumë i lartë” në të gjithë Greqinë, duke përfshirë ishujt Evia, Samos dhe Lesbos, si dhe në gadishullin e Peloponezit dhe në zonën e Athinës.

Edhe autoritetet kroate në gadishullin e Istrias lëshuan një direktivë që ndalon përdorimin e ujit të pijshëm për larjen e makinave, rrugëve dhe zonave të tjera publike, së bashku me ujitjen e zonave të gjelbërta private ose publike.

Gjithashtu ndalohet dushi me ujë të pijshëm në plazhe dhe në pishina.

Një përjashtim është pastrimi i tregjeve ushqimore.

”Shkeljet e rregullores së kursimit të ujit mund të dënohen me ndërprerjen e furnizimit me ujë komunal për shkelësin”, sipas medias lokale.

Qeveria lokale e Istrias përmendi thatësirën e vazhdueshme dhe parashikimet e motit që nuk tregojnë reshje në të ardhmen e afërt.

Paralajmërimet për të nxehtin ekstrem kanë hyrë në fuqi në Britaninë e Madhe. Alarmi i nivelit të kuq është vendosur të hënën dhe të martën e kaluar, kur temperaturat mund të arrijnë 40 gradë ose më shumë. /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManja me Johnson, SHBA e përkushtuar ndaj reformës në drejtësi
Artikulli tjetërHapet aplikimi për të papunët, Murati: Do mbështesim familjet që s’kanë asnjë të punësuar