TIRANË, 16 korrik/ATSH/- Deputetja e PS-së, Etilda Gjonaj e cila së bashku me një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë zhvilluan një vizitë zyrtare në Washington DC, u takuan edhe me kongresmenin Jim Himes, bashkëkryetar i grupit parlamentar për çështjet shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve.
Takimi u zhvillua në Capitol Hill përgjatë zhvillimit të seancës së Dhomës së Përfaqësuesve.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjonaj bën të ditur se gjatë takimit u bisedua mbi rritjen e bashkëpunimit midis Kuvendit dhe Grupit të Miqësisë SHBA-Shqipëri.
“Në Capitol Hill përgjatë zhvillimit të seancës së Dhomës së Përfaqësuesve patëm kënaqësinë të takoheshim me kongresmenin Jim Himes, bashkëkryetar i grupit parlamentar për çështjet shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili na dha mundësinë të bisedonim mbi rritjen e bashkëpunimit midis Kuvendit dhe Grupit të Miqësisë SHBA- AL në këtë 100 vjetor të marrëdhënieve diplomatike mes vendeve”, shprehet Gjonaj.

























