TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Sot u mbajt mbledhja e radhës e Këshillit Konsultativ ndërmjet qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore.
Në këtë mbledhje u diskutuan disa akte të paraqitura nga Ministria e Brendshme si: prezantimi mbi “Ecurinë për Hartimin e Strategjisë së re të Decentralizimit”; Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore. Prezantimi mbi “Këshillat Vendor të Sigurisë Publike”.
Nga Ministria e Drejtësisë u paraqit prezantimi i projektligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit u paraqit prezantimi i projektvendimit “Kriteret për ndarjen e shkeljeve me pasoja të lehta apo me pasoja të renda dhe sanksionet financiare në Fondin Pyjor Kombëtar” si dhe Prezantimi i projektvendimit “Për përcaktimin e çmimeve dhe tarifave për dhënien në shfrytëzim/përdorim të fondit pyjor kombëtar, për veprimtari ekonomike si dhe prodhimet drusore dhe jo drusore”.
Nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë u paraqit prezantimi i projektvendimit “Për një ndryshim në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.179, datë 26.02.2020 “Për rregullat, kushtet dhe procedurat e privatizimit të banesave që kanë qenë subjekt i ligjit nr.7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore” dhe të ligjit nr.9321, datë 25.11.2004 “Për privatizimin e banesave dhe objekteve të kthyera në banesa, të ndërtuara me fondet e shoqërive dhe të ndërmarrjeve shtetërore”””.
Ndërsa nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore u paraqit prezantimi mbi “Shpërndarjen e Praktikave të Mira në Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore 2021-2022”.
Kryetarët e njësive të vetëqeverisjes vendore, ngritën disa problematika për ndryshimet e prodhuara nga aktet e prezantuara, të cilat do të reflektohen në produktin final të drafteve nga ministritë propozuese.
Në këtë seancë u diskutua për funksionet dhe kompetencat e bashkive, në koherencë me procesin e hartimit të strategjisë së re për decentralizimin dhe qeverisjen vendore 2023-2030.
/j.p/r.e/























