Ballina Aktualitet

Greqia, mbështetëse e fuqishme e integrimit evropian të Shqipërisë

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot grupin e miqësisë me Shqipërinë në Parlamentin e Greqisë, të kryesuar nga Kryetari, Vassilios Giogiakas.

Në përbërje të delegacionit ishin edhe nënkryetarja, Maria Kefala dhe sekretari i grupit Konstantinos Barkas. Në takim ishte e pranishme edhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Sophia Philippidou.

Nikolla vuri në dukje se marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë janë shumë të mira e miqësore, nisur nga interesat e përbashkëta strategjike, partneriteti i ngushtë në NATO dhe perspektiva e përbashkët evropiane.

“Shqipëria i është mirënjohëse Greqisë për mbështetjen e vazhdueshme të procesit të integrimit, veçanërisht në lidhje me çeljen e negociatave. Shpresojmë që kjo mbështetje të vazhdojë edhe gjatë presidencës çeke dhe Mbledhja e Parë Ndërqeveritare të mbahet sa më shpejt”, tha Nikolla.

Sipas Nikollës, shqiptarët që jetojnë në Greqi, si dhe minoriteti grek në Shqipëri shërbejnë si ura miqësie midis të dy vendeve.

Kryetarja Nikolla nënvizoi gjithashtu se Greqia është një partner shumë i rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë dhe për vite të tëra ka qenë në krye të listës së partnerëve në tregti dhe investime të huaja direkte.

“Këto investime po nxiten, me përparësi në sektorë si energjia e rinovueshme, turizmi, transporti, infrastruktura, bujqësia etj”, u shpreh ajo.

Nikolla falenderoi deputetët grekë edhe për mbështetjen e Greqisë për përballimin e pasojave të tërmetit të nëntorit 2019 dhe gjatë pandemisë.

Marrëdhënieve miqësore midis të dy vendeve u shërben edhe zgjerimi i bashkëpunimit parlamentar dhe vullneti i të dy palëve për të intensifikuar këtë bashkëpunim, nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe niveleve të larta të parlamenteve.

Kryetari Vassilios Giogiakas dhe anëtarët e delegacionit të grupit të miqësisë nënvizuan se Shqipëria është një vend fqinj dhe mike e Greqisë dhe se ata janë të angazhuar për të forcuar bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë, për lehtësimin e integrimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi, krijimin e kushteve që fëmijët e emigrantëve të mësojnë gjuhën dhe kulturën shqipe, që emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri të vazhdojnë të kontribuojnë si faktorë miqësie midis të dy vendeve.

Greqia do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e integrimit evropian të Shqipërisë. /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – Qeveria shpall gjendjen e emergjencës në rajonet e goditura nga thatësira
Artikulli tjetërSpahiu në forumin e grave parlamentare në Portugali