TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mbërriti sot në Samitin e NATO-s që mbahet në Madrid.
Kreu i qeverisë publikoi në rrjetet sociale pamje nga mbërritja në këtë Samit.
“Madrid – Mbërritja në Samitin e NATO-s”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Kryeministri Rama, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë në Samit do të mirëpriten të mërkurën nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez.
Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Spanjë merr pjesë në punimet e Samitit të NATO-s që mbahet në Madrid.
Në vijim, Kryeministri Rama do të ndjekë seancën plenare të Samitit, ku të pranishëm do të jenë edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Fjala e hapjes së Samitit do të mbahet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez, do të mbajë një fjalë përshëndetëse.
Samitit do t’i adresohet online edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Pas përfundimit të seancës plenare, kryetarët e shteteve dhe të qeverive, pjesëmarrës në Samit do të vizitojnë ekspozitën e teknologjisë së NATO-s.
Pasditen e së mërkurës, Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama do të vizitojnë Muzeun Kombëtar Prado, në Madrid, e më pas kryeministri Rama do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sanchez.
Samiti i NATO-s do të vijojë punimet të enjten, në ditën e dytë të tij, ku Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë, së bashku me Ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Në këtë seancë, Samitit do t’i drejtohet edhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Gerald Connolly.
Në ditën e dytë të punimeve të Samitit, Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim bilateral me Kryeministren e Suedisë, Magdalena Andersson.
Në përfundim, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Enagás, e cila është një kompani spanjolle energjetike dhe operator evropian i sistemit të transmetimit, i cili zotëron dhe operon rrjetin e gazit të Spanjës.























