TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë gjatë kësaj jave kanë shijuar atmosferën e Spanjës që nga kinematografia, kërcimi e deri tek kulinaria.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale nga pamje nga kërcimi i flamengos në Kalanë e Gjirokastrës ku qytetarë të shumtë dhe turistë shijuan magjinë e kërcimit pasionant të Spanjës.
“Shqipëria mikpret botën” JAVA e SPANJËS”. Nën magjinë e hapave të flamengos, Java e Kulturës Spanjolle zbriti në Kalanë e Gjirokastrës ku artistët spanjollë sollën një spektakël të vërtetë ndërsa performuan vallëzimin tradicional spanjoll”, shkruan Rama.
Pak ditë më parë në Qendrën Kulturore të Katederales Ortodokse, “Ritakimi” performanca e flamengos nga balerina e shquar Asunción Pérez “Choni”, e guximshme, imagjinare, pasionante dhe sensuale, solli Spanjën në Tiranë.
Flamengo është vallja më e famshme spanjolle. Me ritmin e tij të ndezur dhe me spektaklin e ndritur, ai pushtoi të gjithë botën.
Ashtu si çdo vallëzim tjetër, flamengo nuk mund të imagjinohet pa një atribut të tillë të rëndësishëm si një veshje femërore spanjolle. Ngjyra e veshjes në thelb përbëhet nga ngjyra të thella dhe të djegura – të kuqe, të errët, qershi, të verdhë, të gjelbër të errët dhe të zjarrtë të zezë.
Nga 18 deri më 28 qershor, zhvillohet Java Kulturore e Spanjës e cila do të sjellë në kryeqytet dhe në qytete të tjera të vendit aktivitete të larmishme si pasqyrim i traditave, kulturës, kulinarisë spanjolle.
Kjo javë zhvillohet në kuadër të “Javëve Ndërkombëtare të Kulturës”, nismë e qeverisë shqiptare me moton “Shqipëria mikpret botën”, ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës, si dhe vende të Bashkimit Evropian.
Java Kulturore e Spanjës vjen pas javëve kulturore të Francës, SHBA dhe Greqisë, Italisë dhe Izraelit të organizuara në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit.























