Ballina Ekonomi

KESH-KEK, memorandum për depozitimin dhe shkëmbimin e energjisë elektrike

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Shqipëria dhe Kosova nënshkruan sot dy marrëveshje bashkëpunimi në fushën e energjisë, që i kontribuojnë sigurisë së furnizimit, por edhe diversifikimit të burimeve energjetike.

Marrëveshjet u nënshkruan nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku dhe ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli.

Përmes një memorandumi dy kompanitë, KESH dhe KEK do të kryejnë depozitimin dhe shkëmbimin e energjisë elektrike.

Duke sjellë në vëmendje efektet e krizës në tregun energjetik botëror, Balluku vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimit mes KESH dhe KEK përmes depozitimit dhe shkëmbimit energjetik.

“Mungesa e sasisë energjetike është ajo që na tremb më shumë dhe bashkëpunimi mes dy kompanive KESH dhe KEK, i cili nisi që dimrin e kaluar, ka dhënë rezultate”, deklaroi Balluku.

Lidhur me memorandumin e bashkëpunimit mes dy ministrive për zhvillimin e terminalit LNG në Vlorë, Balluku tha se i hap rrugën marrëveshjes që i siguron Republikës së Kosovës krijimin e kapaciteteve të energjisë elektrike, për një periudhë afatgjatë, duke bërë të mundur edhe nga ana e palës shqiptare të kryejë planifikimin edhe për nevojat e Kosovës për furnizimin me gaz.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rezvanolli tha se marrëveshjet i kontribuojnë sigurisë së furnizimit, por edhe diversifikimit të burimeve energjetike.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Investimet e Kosovës në Shqipëri domethënëse, arritën 139 milionë euro
Artikulli tjetërCOVID-19 – OBSH: Mos e nënvleftësoni pandeminë