XHAKARTA, 20 qershor /ATSH-DPA/ – Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi vendet që të mos e nënvleftësojnë pandeminë Covid-19, duke thënë se rreziqet e varianteve të reja të rrezikshme mbeten reale.
”Megjithëse numri i rasteve dhe vdekjeve të raportuara Covid-19 është ulur me 90% nga kulmi i janarit dhe kufizimet janë hequr në shumë vende, perceptimi se pandemia ka mbaruar është mashtrues”, theksoi kreu i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“OBSH mbetet shumë e shqetësuar se mungesa e testeve dhe sekuencave po na bën të verbër ndaj evolucionit të virusit”, shtoi Ghebreyesus në një takim të ministrave të Shëndetësisë të G20-s në Indonezi.
“Ne jemi po aq të shqetësuar që mësimet e kësaj pandemie nuk po mësohen dhe se cikli i panikut dhe braktisjes do të përsëritet”, paralajmëroi ai.
”Ministrat e Shëndetësisë të G20-s pritet të diskutojnë mënyrat për forcimin e sistemeve globale shëndetësore, harmonizimin e protokolleve shëndetësore Covid-19 dhe standardizimin e dokumenteve ndërkombëtare të udhëtimit”, theksoi zëdhënësja e Ministrisë indoneziane të Shëndetësisë, Nadia Tarmizi./ /os/













