TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Presidentja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa, theksoi se “99 % e shërbimeve tatimore ofrohen sot nëpërmjet portalit e-Albania. Të gjitha bizneset kanë eliminuar vajtjen në zyrat e shtetit, kontaktet me nëpunësit e caktuar duke punuar me një sistem krejtësisht online”.
Në fjalën e saj në Konferencën e Parë Kombëtare të Antikorrupsionit, në seksionin “Roli i shoqatave të biznesit në promovimin e qeverisjes së mirë dhe luftën kundër korrupsionit”, që zhvilloi punimet edhe ditën e sotme në Tiranë, Muçostepa theksoi se “sa më shumë shërbime të digjitalizuara, siç kemi sot 95 % prej tyre, aq më tepër biznesi do të kërkojë dhe ka kërkuar që të rritet llogaridhënia”.
Duke folur për korrupsionin, Muçostepa tha se “vërtet është bërë shumë, por duhet bërë akoma më shumë, duke pasur parasysh që korrupsioni është një fenomen, i cili nuk ka fund, është një fenomen ditor. Ne mund të jemi gati për të krijuar sisteme dhe sot jemi duke folur për ato sisteme, të cilat janë krijuar në bazë të kërkesave tona”.
Muçostepa tha se “parimet që e godasin korrupsionin janë: fiskalizimi dhe automatizimi i mbledhjes së taksave, përdorimi i teknologjisë për të rritur besimin tek institucionet, ndërtimi i sistemeve automatike në gjendje për të shkëmbyer informacione në kohë reale mes vendeve, digjitalizimi në masë i shërbimeve publike, parandalimi i korrupsionit, gjë që sjell më pak kosto sesa ta luftojmë atë më pas, dhe fuqizimi i shtetit ligjor, si hallka kryesore që godet korrupsionin”.
Sipas saj, deri më sot bizneset kanë kërkuar transparencë dhe dhënie të shërbimeve me integritet.
“Të gjitha këto hallka që shërbejnë si parime për të goditur korrupsionin janë të prekura, edhe në saj të të gjithë kërkesave. Eliminimi i kontakteve me administratën publike është një lehtësi shumë e madhe, ofron shërbime transparente, efikasitet, pengon korrupsionin në të tilla raste, ofron një punë me integritet, por shtohet kërkesa edhe për të dhënë llogari nga ana e institucioneve”, tha Muçostepa.
/k.s/j.p/r.e/























