TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Partia Socialiste feston sot ditëlindjen e saj të 31-të.
Drejtues dhe kontribuues të saj uruan sot këtë përvjetor.
Ahmetaj: Mirënjohje çdo socialisti të vjetër e të ri që është pjesë e familjes sonë të madhe
Zv/ kryeministri Arben Ahmetaj uroi sot 31 vjetorin e PS-së.
“Gëzuar 31 Vjet PS! Mirënjohje çdo socialisti të vjetër e të ri që është pjesë e familjes sonë të madhe e që ndan vlerat dhe vizionin tonë të përbashkët për Shqipërinë, të ardhmen tonë”, u shpreh Ahmetaj në urimin e tij në rrjetet sociale.
Balla: PS promovon në Shqipëri vlerat më të mira socialdemokrate europiane
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla uroi sot përvjetorin e PS.
“Gëzuar Ditëlindjen e 31 të Partisë Socialiste. Mirënjohje themeluesve kurajozë, të gjithë kontributorëve ndër vite, të cilët i dhanë Shqipërisë forcën politike më të madhe, më atdhetare, gjithmonë e hapur, gjithmonë progresiste e moderne, e cila promovon në Shqipëri vlerat më të mira social-demokrate europiane. Mirënjohje anëtarëve, patronazhistëve, simpatizantëve dhe çdo votuesi në këtë ditëlindje të familjes sonë të madhe. Gëzuar!”, shkroi Balla në një postim në rrjetet sociale.
Spiropali: PS, e djeshme dhe e sotme është puna për Shqipërinë e besimit
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali uroi sot socialistët për 31 vjetorin e PS-së.
“Gëzuar socialistë të Tiranës dhe Shkodrës, të Korçës dhe Kukësit, të Durrësit, Elbasanit, Vlorës, Tropojës e gjithë Shqipërisë; gëzuar të gjithë socialistëve dhe progresistëve kudo gjenden në këtë përvjetor të krijimit të partisë së tyre që sot mbush 31 vjeç”, shkroi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.
“31 vjet janë vetëm një hapje mbyllje sysh në jetën e një kombi, por janë shumë për një jetë njerëzore. Dhe në këto 31 vjet, ne, socialistët shqiptarë kemi shkruar një kapitull njerëzor në historinë e kombit tonë. Ne bëmë po bëjmë punën e disa brezave njëherësh për t’i trashëguar brezit të fëmijëve tanë Shqipërinë evropiane, Shqipërinë krenare për çfarë është dhe çfarë do të jetë!”, theksoi ajo.
“Ne besuam aty ku shumëkush dyshonte, ne qëndruam kur shumë vendosën të ikin, ne ndërtuam aty ku të tjerët merrnin kazmat e shkatërrimit, ne kuruam me dhembshuri atë që të tjerët e sëmurën, ne shihnim dhe shohim nga e ardhmja, aty ku të tjerët projektonin dhe projektojnë të shkuarën”, shtoi ministrja.
“Partia Socialiste është bashkimi i themeluesve të djeshëm, i opozitarëve krenarë që i dhanë vendit alternativën e të majtës moderne, e shtetformuesve të mandateve të para dhe punëtorëve modestë të të sotmes”, u shpreh Spiropali.
“Partia jonë është refleks i shoqërisë shqiptare, me të mirat dhe defektet e saj. Ajo nuk është një ishull që nuk e prek e liga, por një organizëm i gjallë që reflekton nga gabimet dhe projekton sukses për të gjithë shoqërinë shqiptare”, nënvizoi Spiropali.
“PS, e djeshme dhe e sotme është puna për Shqipërinë e besimit, respektit dhe mundësisë për çdo shqiptar. Mandati i tretë qeverisës është premtimi ynë për të ndërtuar Shqipërinë e dalë nga tuneli i errët i tranzicionit dhe bashkimin e saj me familjen e madhe evropiane, çka do ta bëjë Shqipërinë më të fortë, më të sigurt, më të begatë, do ta bëjë atdheun shtëpinë e premtuar të të gjithë shqiptarëve.Gëzuar Partia Socialiste! Qofsh përherë e re!”, përfundoi urimin e saj Spiropali.
Gjiknuri: Familja jonë politike mbetet forca më demokratike e transformuese në Shqipëri
“Me urimin e përzemërt për çdo anëtar, mbështetës, drejtues e këdo që ka dhënë e vazhdon të japë një kontribut sado të vogël për Partisë Socialiste, duke dëshmuar se familja jonë politike mbetet forca më demokratike e transformuese në Shqipëri, dhe me premtimin se do vazhdojmë përpjekjen që PS të bëhet më e mirë, më e fortë për të gjithë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Gjiknuri në rrjetet sociale.
Manja: Krenar për çdo anëtar dhe lider që PS ka nxjerrë në vite
“31 vjet Parti Socialiste! Krenar për çdo anëtar dhe lider që ke nxjerrë në vite! Krenar për vlerat që i ke dhënë demokracisë në dy dhjetëvjeçarët e parë dhe për ndryshimin epokal që i jep Shqipërisë në dhjetëvjeçarin e fundit nën drejtimin e Edi Ramës!”, tha Manja në rrjetet sociale.
Çuçi: PS, e vetmja forcë që ka dëshmuar se ka qenë në anën e duhur të historisë
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjithashtu uroi sot socialistët për 31 vjetorin e PS-së.
“Gëzuar ditëlindjen Partia Socialiste e Shqipërisë, e vetmja forcë transformuese dhe progresiste, që ka dëshmuar në çdo kohë se ka qenë në anën e duhur të historisë dhe ka ditur mençurisht të udhëheqë vendin. Shumë respekt për çdo anëtarë dhe për aktivistët tanë të përkushtuar maksimalisht në çdo betejë elektorale, forum e organizatë të PS. Urime 31 vjetorin”, tha ai në urimin e tij në rrjetet sociale.
Margariti: PS, forca më e madhe politike shqiptare
Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, uroi sot PS për 31 vjetorin.
“Gëzuar ditëlindjen Partia Socialiste, forca më e madhe politike shqiptare, që rritet falë besimit që fiton çdo ditë me punë!”, shkruan ajo në rrjetet sociale.
Kumbaro: PS, një shkollë e aksionit emancipues për shqiptarët
“Nga trëndafilat e Zagorisë në Libohovën time të zemrës, te trëndafilat që dhurojnë me zemër përmetarët: Gëzuar 31 vjetorin Partia Socialiste e Shqipërisë”, uroi Kumbaro në rrjetet sociale.
“Është jo vetëm partia që me qeverisjen e saj drejton sot Republikën, jo vetëm forca politike më progresiste dhe që ka bërë ndryshimet e mëdha në shoqërinë tonë, por është edhe një shkollë e aksionit emancipues për shqiptarët që duan të vënë dijet e tyre në shërbim të vendit. 31 vjet PS”, u shpreh Kumbaro.
Kushi: Dita kur duhet të shprehim mirënjohje ndaj të gjithë themeluesve dhe kontribuesve ndër vite
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi në urimin e saj u shpreh se, “këtë 12 qershor festojmë përvjetorin e 31-të të Partisë Socialiste. Është dita kur duhet të shprehim mirënjohje ndaj të gjithë themeluesve dhe kontribuesve ndër vite në këtë forcë politike progresiste, më e madhja e më frymëzuesja në vend”.
“Unë zgjodha të uroj festën sot së bashku me një njeri të denjë, simbol i PS, themelues i PS dhe kontribues i pandalshëm që në ditën e parë të saj. Jam e lumtur që sot Musai është krahu im i djathtë, pjesë e ekipit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, për të jetësuar reformat që kjo forcë politike po i përparon çdo ditë e më shumë”, theksoi Kushi.
“Mirënjohje të gjithë socialistëve të thjeshtë, kudo që ndodhen, në Elbasan e në të gjithë Shqipërinë!”, përfundoi Kushi.
Veliaj: Partia Socialiste, forca që po transformon Shqipërinë dhe Tiranën
Edhe kryetari i bashkisë së Tiranë, Erion veliaj uroi 31 vjetorin e PS-së.
“Gëzuar Ditëlindjen Partia Socialiste, forca që po transformon Shqipërinë dhe Tiranën. Mirënjohje çdo socialisti të thjeshtë, që i jep energji dhe përkushtim, që punët të ecin përpara”, tha Veliaj në një postim në rrjetet sociale.























