TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Delegacionet e rregullatorëve të medieve të Shqipërisë dhe të Kosovës gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u takuan me përfaqësues të lartë të institucionit homolog amerikan Federal Communication Commision (Komisioni Federal i Komunikimit).
Në takim morën pjesë kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive Armela Krasniqi, Sekretarja e Përgjithshme në detyrë, njëkohësisht drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë, Romelda Rrapollari, ndërsa nga Komisioni i Pavarur i Medieve, kryetari Xhevat Latifi, zëvëndësues i Kryeshefit Ekzekutiv Faruk Rexhaj.
Për palën e Komisionit Federal amerikan të Komunikimit morën pjesë Olga Madruga-Forti, Shefe për Strategjitë Globale, Zyra Ndërkombëtare, Ira Keltz, kryeshefi i Zyrës për Inxhinieri dhe Teknologji, Jim Szeliga, shef i Kujdesit ndaj Klientit.
Sipas zyrtarëve të AMA-s, ishte një takim i frytshëm në të cilin u vendosën urat e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve me fokus kryesor shkëmbimin e eksperiencave. Në këtë kontekst, sipas AMA-s, partnerët e FCC shprehën gatishmërinë për asistencën e tyre në veprimtarinë e mëtejshme të AMA dhe KPM nëpërmjet mbështetjes teknike dhe shkëmbimit të praktikave më të mira.
AMA e KPM u takuan për herë të parë me Komisionin Federal të Komunikimit dhe vendosën nisjen e bashkëpunimit në tri fusha me interes të përbashkët: lirimi i brezave frekuencorë me fokus të veçantë informimin e shikuesit mbi procesin, procesi i rinovimit të licencave,
dhe rregullimi audiovizual dhe i përmbajtjes.
Bashkëbiseduesit shprehën vullnetin për të forcuar bashkëpunimin institucional dhe dakordësuan një kalendar bashkëpunimi.
/k.s/j.p/r.e/























