Ballina Aktualitet

Garo: “Ballkani i Hapur” i shërben projektit antishqiptar

TIRANË, 8 qershor /ATSH-I.Vata/ Partia Demokratike përmes një deklarate për mediet nga anëtarja e kryesisë, Floriana Garo, dënoi deklaratat e Kryeministrit Edi Rama të realizuara gjatë konferencës të zhvilluar sot në Ohër, si pjesë e nismës së “Ballkanit të Hapur”.

Në një deklaratë për mediet, Garo tha se “duke mos njohur dhe banalizuar me tallje e nënqeshje, gjenocidin dhe masakrat ndaj qindra e mijëra boshnjakëve, kroatëve, malazezëve e vëllezërve tanë në Kosovë, viktima të spastrimit etnik serb, Edi Rama dëshmon një mungesë respekti jashtë çdo imagjinate ndaj të shkuarës tragjike të Ballkanit”.

“Mohimi i gjenocidit dënohet me ligj ndërkombëtar. Edi Rama, me këto deklarata imorale i bashkohet dyshes Vuçiç-Dodik dhe bëhet pjesë me dashje të asaj çka është një tentativë rishkrimi të historisë me qëllimin e vetëm për të lehtësuar pozicionin e Serbisë në kontekstin e projektit serbo-rus të Ballkanit të Hapur”, vijoi Garo.

Garo shtoi se Partia Demokratike e Shqipërisë refuzon në mënyrë kategorike çdo projekt që kërkon të zëvendësojë Nismën e Berlinit dhe integrimin evropian me projekte që rivendosin hegjemoninë ruso-serbe në Ballkan.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMALI I ZI – Gjukanoviç: Rusia ka zgjedhur një strategji shkatërrimi ndaj Perëndimit
Artikulli tjetërInflacioni në maj u rrit në 6.7%