TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar, do të jetë me pagesë, por do të ketë një rrugë alternative, ashtu siç ndodh në të gjithë botën.
Në seancën e sotme plenare, në përgjigje të deputetes së opozitës Greta Bardeli, ministrja Balluku u shpreh se, “koncesioni, i cili do të jetë me pagesë, ka një klauzolë detyruese për të gjitha koncesionet që do të vijnë, dhe jo vetëm kjo, që të ndërtohen rrugët alternative në rast se nuk janë, si në të gjithë botën që ju e shëtisni të gjithë. Shqiptarët sot njihen nga vizitorët më frekuent të vendeve evropiane, autostradat janë me pagesë. Se përndryshe nuk ka sesi të jenë, se nuk ka se kush i mirëmban, se pastaj dilni ju dhe thoni pse është kaq fondi i mirëmbajtjes, etj.”.
“Autostrada që do të ndërtohet me koncesion, është një autostradë që do të përdoret nga ata drejtues automjetesh të cilët dëshirojnë të përdorin autostradat e shpejtësisë. Ndërkohë shteti shqiptar ka si detyrim që çdo koncesion, i cili vendos traun për pagesë, të sekondohet nga një rrugë alternative e kategorisë C2, që janë rrugët që kryesisht sot kemi”, theksoi Balluku.
“Kështu që mos ju referoni rastit të koncesionit të Rrugës së Kombit, e cila është një situatë e komplikuar e marrë në dorëzim nga qeveria juaj, të papërfunduar. Sot e kësaj dite vazhdojmë dhe investojmë në atë rrugë”, tha Balluku.
Ministrja nënvizoi se, “në rastin e Thumanë-Kashar ne kemi pasur një kontratë PPP-je, e cila është anatemuar sërish nga ju. Sot po thoni pse s’e ndërtuat me PPP? Ishte e pamundur sepse hapësira fiskale e asaj PPP-je, u vu në dispozicion të paketës së “Paktit të Universitetit” në vitin 2019. Më pas u vendos përmes dhe një vendimi të gjykatës, që ky aks të ndërtohej, por jo më me para të buxhetit të shtetit, pasi nuk ekziston kjo hapësirë fiskale, por me pagesë. Ashtu siç janë rrugët, në Itali, në Francë apo kudo tjetër”.
Por ama, shtoi Balluku, “qeveria shqiptare ka nënshkruar një kontratë dhe është zotuar që asnjë rrugë nuk do marrë tra për pagesë, nëse nuk do ketë një rrugë alternative minimalisht të kategorisë C2 për të kaluar automjetet pa pagesë”.
/r.e/























