TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi në kuadër të një vizite zyrtare të zhvilluar në SHBA, mori pjesë në festivalin e parë të shkollave shqip “Alba Life” në mbyllje të vitit mësimor 2021 – 2022.
Muzhaqi shprehet nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se shkolla shqipe “Alba Life”, e hapur 15 vite më parë, po kontribuon në ruajtjen e identitetit kombëtar përmes mësimit të gjuhës shqipe.
Sipas saj, mësuesit e përkushtuar dhe prindërit, me këmbëngulje po nxisin fëmijët e tyre të mbajnë të forta lidhjen me gjuhën, traditën dhe kulturën shqipe.
“Një kontribut i madh dhe i rëndësishëm ky i familjes Zylo, mësuesve të përkushtuar, por kryesisht edhe prindërve të cilët me përkushtim e këmbëngulje, nxisin fëmijët e tyre të mbajnë të forta lidhjet me gjuhën, traditën dhe kulturën shqipe. Shkolla shqipe “Alba Life” u hap në prag të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë ka shtrirë veprimtarinë e saj në Staten Island, Bronx, Brooklyn, Manhatan e Queens, me qëllim zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar përmes mësimit të gjuhës shqipe, kulturës së origjinës si dhe njohjes me trashëgiminë dhe thesarin kulturor, natyror dhe historik kombëtar”, thekson Muzhaqi.
/r.e/
































