LONDER, 4 maj /ATSH/ – Në vitin 2019, ndotja ishte përgjegjëse për 9 milionë vdekje në të gjithë planetin. Bëhet fjalë për një në 6 vdekje, situatë e krahasueshme me rezultatet e një analize të kryer në vitin 2015, shkruan focus.it.
Në raportin e publikuar në ”The Lancet Planetary Health” thuhet se përballë një rënie të vdekjeve të lidhura me varfërinë ekstreme ka pasur një rritje të njëkohshme të vdekjeve për shkak të ndotjes industriale, veçanërisht ajo e lidhur me kimikate të caktuara.
Pavarësisht studimeve të shumta që tregojnë se si ndotja ka efekte shumë serioze në shëndetin e njeriut, sipas Richard Fuller, autori kryesor i veprës, që nga viti 2015 vëmendja dhe financimi për ta luftuar atë janë rritur në një masë shumë të vogël.
“Ndotja është ende kërcënimi më i madh për shëndetin e njeriut dhe planetar, deri në atë pikë sa të rrezikohet qëndrueshmëria e shoqërive moderne”, shton ai.
Sipas studiuesit, nëse do të punonim për të ngadalësuar ndotjen e ajrit, do të përfitonim përfitimin shtesë të uljes së rritjes së temperaturës së planetit.
Në vitin 2019 ndotja e ujit ishte përgjegjëse për 1.36 milionë vdekje të parakohshme. Plumbi shkaktoi 900 000 vdekje, ndërsa 870 000 njerëz vdiqën nga problemet që lidhen me substanca të tjera toksike.
Së fundi, vdekje të tjera i atribuohen ndotjes shtëpiake, për shembull përdorimi i drurit për ngrohje ose gatim. /os/























