Ballina Aktualitet

SPAK: Dumani nuk ka deklaruar asnjë të dhënë lidhur me Presidentin

TIRANË, 3 qershor /ATSH-I.Vata/ Struktura e Posaçme Antikorrupsion, SPAK përmes një njoftimi zyrtar thekson se, shtetasi N.D nuk ka deklaruar asnjë të dhënë lidhur me Presidentin.

“Në vijim të interesimit të shtuar të medieve, në lidhje me deklarimin e gazetarit Artan Hoxha për sa i përket të dhënave të pretenduara si të deklaruara nga shtetasi nën hetim N.D. për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, të transmetuar në televizionin Kombëtar “Klan”, në emisionin “Opinion” të datës 02.06.2022, sqarojmë opinionin publik se: Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr. 75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e SPAK.

SPAK fton mediet që të jenë të kujdesshme dhe të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje.

“Duke marrë shkas nga ky rast, si dhe duke mbajtur në konsideratë edhe trajtimet që i janë bërë deklarimeve të shtetasit N.D. në emisione të ndryshme televizive, ftojmë mediet që të jenë të kujdesshme, të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje, të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre, si dhe faktin se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar referuar nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ka vendosur ndalimin e publikimit të vendimit nr. 42 datë 17.05.2022 (me objekt caktimin e masave të sigurimit)”, theksohet në njoftimin e SPAK.

Gazetari Artan Hoxha tha në emisioni “Opinion”, u shpreh se i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka dëshmuar se Presidenti Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të një deputeti.

“Dumani thotë se Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të një deputeti të PS. Nuredini thotë se personat që kanë lidhje me këtë ngjarje kam njohje. Ai thotë se ka folur me një person e ai më ka thënë kështu. Unë nuk e besoj, por po të ketë ndodhur, kjo është e rëndë. Fakt është se Aleksandër Ndoka është vrarë dhe ne nuk e dimë se kush e ka vrarë. Ai u vra në derën e shtëpisë. Ai ka folur dhe për politikanë të tjerë. Prokuroria duhet ta verifikojë”, tha Hoxha në “Opinion”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakISHMT kontroll në subjektet prodhuese dhe tregtuese të bukës
Artikulli tjetërMeta dekreton emërimin e Sokol Ngresit si gjyqtar i Gjykatës së Lartë