TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Shqipëria mori sot zyrtarisht Presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Me këtë rast delegacioni i Bashkimit Evropian ka uruar Shqipërinë për këtë arritje.
“Urime Shqipërisë për marrjen e presidencës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në pritje për të punuar edhe më ngushtë së bashku në promovimin e paqes dhe adresimin e çështjeve të sigurisë globale”, shkruan delegacioni i BE-së, në një postim në rrjetet sociale.
Gjithashtu dhe Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri ka uruar Shqipërinë ku thekson se, është një partner i rëndësishëm në forumet ndërkombëtare.
“Sot, për herë të parë, Shqipëria merr për një muaj presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Shqipëria është një partner i rëndësishëm në forumet ndërkombëtare dhe është e vendosur dhe konstruktive, krah për krah me Bashkimin Evropian, me NATO-n dhe Gjermaninë, për një botë të lirë dhe në respektim të së drejtës ndërkombëtare”, shkruan Ambasada gjermane.
“Sidomos në këtë kohë, kur rendi botëror i bazuar në rregulla po sfidohet sërish nga agresioni rus, kjo mbështetje ka një rëndësi të madhe. Urime Shqipërisë për Presidencën!”, thekson Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri.

/r.e/























