BERLIN, 29 maj /ATSH-DPA/- Përfaqësuesit e qeverisë së koalicionit gjerman dhe grupit të opozitës konservatore CDU/CSU kanë planifikuar të vazhdojnë negociatat për fondin special për forcat e armatosura gjermane dhe objektivin e NATO-s për të rritur shpenzimet e mbrojtjes me 2%.
Për shkak se fondi special do të lidhet me një amendament të Ligjit Bazë, siç njihet kushtetuta e Gjermanisë, koalicioni i socialdemokratëve (SPD), i të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë pro biznesit (FDP) varet nga votat e CDU/ CSU.
Në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, kancelari Olaf Scholz njoftoi në Bundestag më 27 shkurt se buxheti do të pajisej me një fond të veçantë të vetëm prej 100 miliardë eurosh (107 miliardë dollarë) për investime në projektet e mbrojtjes.
Gjithashtu më shumë se 2% e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të vendit do të investohej në mbrojtje, në përputhje me premtimet e aleancës mbrojtëse të NATO-s.
Megjithatë, liderja e SPD-së së Scholz, Saskia Esken, tha për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se përputhja e saktë vjetore me objektivin prej 2% nuk është shumë realiste. //a.i/






















