Ballina Aktualitet

Kuvendi i Junikut platforma më e pastër kombëtare për çlirim

TIRANË, 23 maj /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në manifestimin përkujtimor të 110-vjetorit të Kuvendit historik të Junikut.

Fillimisht Presidenti Meta, së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani bënë homazhe dhe vendosën një kurorë me lule në shtatoren e Edmond Hoxhës, luftëtarit të paharruar të UÇK-së dhe Dëshmorit të Atdheut, rënë heroikisht në luftë për çlirimin e Kosovës.

Duke iu drejtuar Presidentes Osmani, kryetarit të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, profesorëve, historianëve dhe pjesëmarrësve të nderuar të pranishëm në aktivitetin e zhvilluar në Shkollën Fillore dhe të Mesme në Junik “Edmond Hoxha”, Meta u shpreh se, “çdo shqiptar kur përmendet ‘Kuvendi i Junikut’ krenohet me veprën e madhe dhe të lavdishme të burrave të kombit tonë, të cilët përpara 110 viteve lëshuan kushtrimin këtu në Junik,për liri dhe pavarësi nga zgjedha shumëshekullore osmane, si  dhe për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga fqinjët grabitqare”.

“Para 110 viteve Juniku u bë logu i Kuvendit për 250 burra trima të pendës dhe pushkës me në krye Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe Bajram Currin si dhe shumë e patriotë të tjerë, ku për katër ditë dhe netë u diskutua dhe u debatua për bashkimin dhe fillimin e një kryengritjeje të përbashkët në Kosovë dhe mbarë Veriun e Shqipërisë, për lirinë dhe pavarësinë e  trojeve kombëtare”, tha Meta.

“Sot pas mbas 110-vitesh ne, kemi shumë arsye jo vetëm të forcojmë kujtesën tonë historike, portë jemi mirënjohës ndaj atyre patriotëve të jashtëzakonshëm, që në kohë shumë të vështira treguan largpamësi, dhe i dhanë dritë një projekti mjaft të rëndësishëm  kombëtar”, vijoi ai.

“Ne sot i gëzohemi Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s,që pret të hedhë një hap më tej drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por ne i gëzohemi më së shumti dhe të sakrifikuarës së madhe, 110 vjet më parë Kosovës, e cila është sot një shtet i lirë dhe i pavarur. Një vend model për sa i takon demokracisë, zgjedhjeve, respektimit të të drejtave të njeriut dhe respektimit të pakicave jo vetëm në rajonin tonë, por në mbarë kontinentin, dhe që ecën dhe ajo e sigurt drejt integrimeve euro-atlantike dhe anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare”, tha Meta.

Meta u shpreh se, “shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi, janë kontribuues kryesor dhe kyç për orientimin euro-atlantik dhe demokratik të këtyre vendeve. Ndërkohë, që vëllezërit tanë në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanovc, po luftojnë për t’i bërë realitet të drejtat e tyre edhe pse me shumë vështirësi dhe pengesa. Realizimi i të drejtave të tyre si pakicë kombëtare në Serbi,është një e drejtë legjitime të cilën duhet ta përkrahim akoma më shumë në të ardhmen”.

“Ne shqiptarët sot jemi më krenar, sepse jemi kontribuues kryesorë të paqes dhe tësigurisë në rajonin tonë. E kemi dëshmuar dhe e dëshmojmë në vazhdimësi se jemi për fqinjësi të mirë, me të gjithë fqinjët tanë pa-paragjykime, por të njëjtin respekt duhet që edhe ata ta tregojnë për ne. Po kështu kemi treguar se jemi të hapur me të tjerët, por na duhet të jemi edhe më të hapur dhe më të bashkuar me njëri-tjetrin në të mirë të kombit tonë dhe të përparimit të interesave tona kombëtare”, tha Meta.

“Ne ndodhemi sot para sfidave të mëdha, dhe ato sfida mund t’i përballojmë dhe duhet t’i përballojmë vetëm të bashkuar, dhe në frymën e dashurisë për kombin dhe trojet tona, dhe me krenarin e të qenit shqiptarë kudo ku jemi”, përfundoi Meta.

Presidentja Vjosa Osmani në shënimin e Kuvendit të Junikut, deklaroi se kjo është një nga përvjetorët më të rëndësishëm të historisë kombëtare.

“Në historinë e popujve të lashtë, sikurse ky i uni, ekzistenca e cila matet me mijëvjeçar, 110 vjet histori nuk janë edhe shumë. Por, në historinë e mijëvjeçarëve të popujve janë disa ngjarje të cilat gjithmonë bartin mesazh frymëzues, ngase arrijnë që copëzat e historisë t’i ndërlidhin në harkun e ambicieve të tyre. Kuvendi i Junikut i mbajtur nga 21 deri më 25 maj 1912 në kohën e vlimeve të mëdha dhe përpjekjeve të pafundme të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi dhe synimeve grabitqare të fqinjëve, shënon jo vetëm ngjarje të rëndësishme historike por edhe shembull të artikulimit të qartë politik dhe të kërkesave të popullit tonë për liri, duke i artikuluar ato në një platformë të pastër kombëtare”, ka deklaruar Osmani.

Kjo platformë, siç tha Osmani, ka përfshirë dimensionin nacional, politik dhe ushtarak. Ajo shtoi se Kuvendi i Junikut ka një peshë të madhe në përpjekjen për pavarësi në trojet shqiptare.

“Kuvendi i Junikut u mbajt në një moment vendimtar të historisë së popullit shqiptar dhe u dha krahë përpjekjeve të tij për mvetësim. Ajo hyn në rrjedhën e ngjarjeve të rëndësishme kombëtare, duke qenë se ofroi platformë të qartë për lirinë e tij. Në mënyrë të mahnitshme nga 21 deri më 25 maj të vitit të pavarësisë, përfaqësues të trevave të ndryshme shqiptare të vilajeteve të atëhershme, u mblodhën bashkë  në këtë vend të qëndresës historike, të cilat e simbolizojnë sot kullat e gurta, kaq të bukura”, tha ajo.

/a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakA kanë targa avionët?
Artikulli tjetërKAS kalon për shqyrtim ankimimin e Sakos